2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Autoambulanca e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, me targa të Beogradit

Një aksident i vogël komunikacioni në rrugën Hajvali-Graçanicë, ka nxjerr një pah edhe një anomali tjetër në sistemin shtetëror të Kosovës.

Qytetari që ka shkaktuar aksident, është shndërruar në dëshmitar kur autoambulanca e thirrur nga policia, e nisur nga Shtëpia e Shëndetit në Graçanicë, është shfaqur në vendin e ngjarjes me targa të Beogradit.

Ngadhënjim Lajçi ka rrëfyer për RTKlive tërë situatën e cila ndodhi të dielën paradite në këtë rrugë, kur i vetëm në veturë, ka shkaktuar aksident të vogël trafiku duke e goditur nga prapa një automjet në lëvizje.

Ai tregon se në automjetin e aksidentuar kanë qenë një çift, shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb.

Lajçi rrëfen se për 30 minuta sa kanë pritur policinë e stacionit policor në Graçanicë që të shkojnë në vendin e ngjarjes, biseda me qytetarët serbë ishte krejt normale dhe ata nuk kanë shfaqur asnjë shenjë lëndimi.

“Kur erdhi policia, që ishin një shqiptar e një serbe, policja serbe e largoi disa metra qytetarin serb dhe pas bisedës me të, ai filloi të ankohet se është i lënduar dhe e thirrën autoambulancën”, tregon Lajçi për RTKlive.

Ai e pranon se me policën është fjalosur pasi dyshon se e njëjta e ka nxitur qytetarin serb të ankohet padrejtësisht për lëndime, derisa sqaron se shpejtësia e automjetit në momentin e aksidentit ishte rreth 30 Kmh.

E derisa situata është qetësuar disi edhe me intervenimin e policit shqiptar, policja serbe, sipas Lajçit, ka insistuar në thirrjen e  autoambulancës.

Kjo e fundit,  kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka shkaktuar një habi tjetër për qytetarin Lajçi.

“Autoambulanca kishte targa të Beogradit të mbuluara me stikersa. Jam ndjerë i ofenduar nga kjo gjë dhe kam filluar të bëj fotografi”, rrëfen ai për RTKLive.

“Në atë moment, policja serbe kërkoi nga unë që t’ia jap telefonin dhe t’i fshi fotografitë, veprim që nuk e kam pranuar dhe prapë kam pasur përplasje verbale me të”, shpjegon Lajçi.

Sipas tij, udhëzimet e policës serbe për qytetarin serb që pa asnjë lëndim ta thërrasë autoambulancën dhe ardhja e kësaj të fundit me targa të Beogradit, për të janë ofenduese, dhe kjo ka qenë arsyeja përse ai nuk ka pranuar të shkojë në stacionin policor në Graçanicë, të lajmërohet ashtu siç i ishte kërkuar nga patrulla e policisë.

Kontakti me Policinë e Kosovës të dielën për të konfirmuar këtë rast nuk ishte i mundur.

Ndërkohë, sistemi shëndetësor dhe ai arsimor në Kosovë, në komunat me shumicë serbe, funksionojnë tërësisht të veçantë nga sistemi shtetëror i Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img