7.3 C
Pristina
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Aurora Pirraku, ndër femrat e para shqiptare që kryen studimet në Psikoterapi të Nivelit të Avancuar tek Sapu

Shqiptarët po vazhdojnë të arrijnë suksese të jashtëzakonshme në shtetet e ndryshme të botës. Ata tashmë janë shndërruar në faktor të rëndësishëm në ato shtete ku jetojnë dhe shpesh janë shembulli më i mirë i integrimit.

Duhet veçuar Aurora Pirraku, e cila jetoj në Suedi, e cila tashmë është jo vetëm që është zëri i shqiptarëve në këtë vend, por është edhe femra e parë  shqiptarë në histori, që ka kryer studimet ne Psikoterapi të Nivelit të Avancuar tek Sapu.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo flet për rrugëtimin e saj jo të lehtë drejt suksesit, si vështirësitë, sfidat, ballafaqimet dhe deri tek integrimi në këtë shtet. Ajo thotë se asgjë nuk të dhurohet  në jetë, dhe patjetër që është dashur shumë punë, angazhim e po ashtu edhe durim.

Integrimi dhe suksesi, sipas saj, nuk kanë ardhur për një ditë, por janë dashur vite e vite të tera pune pa u ndalë. Aurora ,e cila ka të kryer tri fakultete, dhe disa diploma Master, në Suedi, ajo është e angazhuar edhe në politikë, pikërisht në Socialdemokrate për Besim dhe Solidaritet, si shqiptare e vetme në këtë parti politike.

Ajo është në borin e kësaj partie, në nivel të Suedisë, ku për shumë vite ka qenë kryetare e grave e kësaj partie në Västerås, dhe kandidate për zgjedhjet lokale dhe Parlamentare në vitin 2014. Tani punon për Zyrën e Punësimit në Regjionin Mitt, ku merr vendime për organizata  si private po ashtu edhe për ato publike. Po ashtu, ka qenë edhe femra e parë shqiptare në kryesinë e Departamentit të Mjekësisë në regjionin e Vastmanland.

Telegrafi: A mund të na tregoni se si keni arritur të integroheni në jetën suedeze dhe në punë tuaj që bëni në këtë vend, dhe sa ka qenë e vështirë të arrini këtu ku jeni sot?

Aurora Pirraku: Asgjë nuk të dhurohet në jetë dhe patjetër që është dashur shumë punë. Integrimi dhe suksesi nuk kanë ardhur për një ditë, por janë dashur vite e vite të tera pune të pa u ndalë. Që në momentin kur unë kam ardhur në Suedi, me tre fëmijë, i jam përkushtuar mësimit të gjuhës dhe arsimimit. Fatmirësisht, ne populli shqiptar kemi një kulturë të çmuar, ku vlerat tona shkojnë kah me ato të suedezëve, dhe kjo e ka lehtësuar përshtatjen me një kulturë të re. Nga ana tjetër, duke patur gjithmonë atdheun në mendje, mungesa e ambientit shqiptar bëhet një barrë në zemër, por unë e kam përdorur këtë, për të motivuar vetveten, dhe të sjellë një ndryshim. Dhe pikërisht ky vullnet për të sjellë një ndryshim, më ka bërë të synoj të arsimohem, të edukohem dhe të angazhohem në punën  dhe në jetën politike.

Telegrafi: Ju jeni femra e parë shqiptare në histori që ka kryer studimet ne Psikoterapi të Nivelit të Avancuar tek Sapu (Akademia Skandinave për Psikoterapi). Na flisni pak për arritjet e juaja akademike?

Aurora Pirraku: Në fakt edhe unë këtë informacion e kam marrë vetëm para pak kohësh, kur më treguan gjatë një leksioni të Psikoterapisë të Nivelit më të Avancuar në universitetin-Psikoterapi, në të cilën jam në përfundim  e sipër, e që është fakulteti im i tretë më radhë, se unë isha shqiptarja e parë që frekuentoja një nivel kaq të lartë edukimi dhe u befasova. Ishte një moment reflektimi për udhën e gjatë që kam bërë për të arritur deri këtu:

Kam kryer Masterin Shkencor ne Shkencat e Sjelljes (psikologjia e vendit të punës dhe shëndetit), Bachelor dhe Master Shkencor ne Kriminologji- drejtimi  dhuna në familje, krimet e organizuara dhe ekonomike, Master në Lidership, studimet në Shkallën e parë të Psikoterapisë (të kryera për një periudhë dy vjeçare, të ndjekura me vite pune me pacientë), si dhe shkollën profesionale 2 vjeçar në Përkthim dhe Interpretim. Kurse, sa i përket angazhimit tim në politikë, jam kryetare e regjionit Västerås, të Qarkut Vastmanland, në radhët e Partisë Socialdemokrate për Besim dhe Solidaritet – STS, jam edhe në borin e kësaj partie, në nivel të Suedisë, për shumë vite kam qenë kryetare e grave e kësaj partie në Västerås, dhe kandidate për zgjedhjet lokale dhe Parlamentare në vitin 2014. Tani punoj për Zyrën e Punësimit në Regjionin Mitt, ku marrë vendime për organizata  si private po ashtu edhe për ato publike. Po ashtu, kam qenë edhe femra e parë shqiptare në kryesinë e Departamentit të Mjekësisë në regjionin e Vastmanland.

Në Suedi jam prej pothuajse 30 vitesh, dhe më duket sikur i kam kaluar të gjitha vitet duke u edukuar. Nuk jam ndalur kurrë, pavarësisht se kisha fëmijë të vegjël, kisha punën dhe familjen. Kam studiuar çdo ditë, pa u ndalur, dhe kjo më ka sjellë deri këtu ku jam. Një femër e edukuar është një pasuri, pasi ajo përcjell këtë imazh të një familjeje. Kështu kam vepruar dhe unë, dashur e padashur. Fëmijët e mi kanë ndjekur rrugën time, për sa i përket edukimit dhe jam shumë krenare, që ata kanë marrë tiparet e mia më të mira dhe vullnetin për tu bërë qytetarë të informuar, të edukuar, të kulturuar dhe të ndershëm. Të dy djemtë e mi punojnë avokatë në kompaninë e tyre në Stockholm. Djali i madh punon për organizatën më të madhe të avokatëve në Suedi, teksa tjetri punon dhe kryen doktoratën në Juridik në Skoci, ndërkohë që mbanë ligjërata në gjithë botën. Vajza ime, që ishte Miss Kosova 2018, punon në Stockholm, teksa kryen Masterin ne Neë York në Amerikë.

Si nënë jam krenare për familjen time, sesi ne kemi arritur një jetë të mirë dhe të qetë, me bazë të mirë vetëm duke ecur në rrugën e shkollimit. Si femër, jam krenare që kam ndihmuar, që fëmijët e mi të jenë të respektueshëm dhe për vetveten, e për të arritur këtu ku jam kam punuar fort.

Kemi ardhur nga Kosova si çdo shqiptar tjetër, me lot në sy për çfarë po linim pas, dhe më shpresë në zemër për një vend me mundësi. Kam kryer vetëm detyrën time, duke shfrytëzuar mundësitë që më janë ofruar, dhe ato që i kam ndjekur vetë.

Telegrafi: Cilat janë sfidat në punën tuaj që bëni, dhe sa ka qenë e vështirë rrugëtimi juaj drejt suksesit, sidomos kur kemi të bëjmë më një fushë shumë të rëndësishme, siç është Psikoterapia?

Aurora Pirraku:  Psikoterapia, siç e përmendni dhe ju, është një fushë sa e rëndësishme, aq edhe e komplikuar. Andaj edhe pranimi në këtë nivel nuk është si gjithë shkollat e tjera, por kryhet në shumë faza.

Faza e parë është në lidhje me kushtet e pranimit, ku duhet të kesh një diplomë në backgroundin e duhur (psikoterapi ose punë sociale ose mjek me kompetenca specialisti). Pas përfundimit të diplomës, aplikanti duhet të ketë qenë profesionalisht aktiv dhe të ketë praktikuar qasje psikoterapeute me një psikoterapisë të licencuar. Këto, bashkë me kritere të tjera akademike.

Faza tjetër është pak më e ndërlikuar. Hulumtues të këtij drejtimi dhe profesorët e degës kryejnë teste të ndryshme individuale mbi aplikuesit, në mënyrë që të sigurohen për edukimin, aftësitë dhe gjithçka tjetër. Këto janë të nevojshme pasi një psikoterapeut është njësoj si një mjek, ka një përgjegjësi të madhe mbi jetën e pacienteve. Kjo është sa e rrezikshme, ashtu edhe shpresëdhënëse.

Kështu që edhe unë, i jam nënshtruar këtyre testeve dhe falë edukimit, karakterit dhe pasionit tim për Psikoterapi, jam pranuar në këtë degë.

Të trajtosh pacientë me qasje psikoterapeute është mjaft e vështirë, pasi kemi të bëjmë me atë çfarë njeriu konsiston, me ndjenjat, me eksperiencat, me kujtimet. Çdo pacient është i ndryshëm, kështu që secili paraqet një sfidë më vete, por kjo nuk përbën problem për mua pasi më pëlqejnë sfidat, dhe më pëlqen më tepër të ndihmoj njerëzit që të përmirësojnë vetveten.

Telegrafi: A mund të na thoni se cilat janë tri gjërat që të qojnë përpara drejt suksesit?

Aurora Pirraku: Nuk mendoj se për asnjë person, janë vetëm tre arsye që të çojnë përpara drejt suksesit. Por, do të përpiqem të zgjedh tre arsyet e mia.

Së pari, do të zgjidhja dëshirën për të ndihmuar njerëzit. Unë vij nga një shtet që prej shumë kohësh është ndarë, copëtuar, dhunuar e abuzuar, kështu që e di se çfarë është varfëria, dhimbja dhe humbja. Vetë, kam përjetuar shumë gjatë rrugës sime në një shtet të panjohur, për të mbajtur familjen time me vlera të pastra, për tu edukuar dhe për të siguruar të ardhmen tone. Kam një dëshirë përbrenda për të ndihmuar gjithkënd, për t’i bërë njerëzit të shohin anën e bukur të jetës dhe kjo është forca ime shtytëse për gjithçka.

Se dyti, do të zgjidhja vullnetin tim. Askush nuk e di forcën e tij, derisa vendoset përballë sfidave të mëdha. Kështu e kam kuptuar dhe unë vullnetin dhe këmbënguljen time për të arritur qëllimet e mia dhe për të përmbushur sfidat. Unë nuk kam qenë një talent i veçantë në matematikë apo një gjeni. Vetëm këmbëngulja, vazhdueshmëria dhe vullneti me kane çuar përpara për të mos u ndalur kurrë, dhe vetëm për të rritur vetveten në nivele më të larta.

Së treti, do të zgjidhja familjen. Ata janë forca ime mbështetëse gjatë gjithë këtyre viteve dhe më kanë qëndruar pranë gjatë gjithë hapave të mija në arsimim dhe karriere. Më kanë nxitur në ditë të errëta dhe më kanë mbështetur në ditë të bukura.

Telegrafi: A mund të na thoni se cili është dallimi mes emancipimit të shoqërisë kosovare dhe asaj suedeze?

Aurora Pirraku: Kjo është një pyetje e vështirë për vitin 2020, pasi kontrasti ndërmjet tyre në këtë moment është i madh. Kosova sapo ka dalë nga një periudhë e errët, ku është sakatuar dhe po përpiqet të kuptojë se kush është në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kemi Suedinë që është një superfuqi në Evropë dhe botë. Prej shumë vitesh është në listën e 10 vendeve më të lumtura në botë, vendet me mirëqenien më të lartë dhe shumë përfitime të tjera.

Por nëse kryejmë një analizë pak më të gjerë, gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kështu. Kosova para luftës ishte një vend me lulëzim në ekonomi dhe mirëqenie, ku njerëzit ishin të lumtur dhe jetonin në harmoni. Ndërkohë, që Suedia e para 100 viteve ishte një vend i varfër, ku njerëzit nuk kishin banja. Kështu që kjo i vendos gjërat në perspektivë.

Shoqëria suedeze, duke qenë kaq e madhe në territor dhe duke qenë më e izoluar gjeografikisht nga vendet e tjera, ka patur mundësinë që të krijojë një shtet më social që i ndihmon njerëzit. Duke qenë kryeqyteti i Skandinavisë, i ka lejuar që të jetë një vend kur janë avancuar tregtia, teknologjia, përparimet mjekësore dhe ato industriale.

Kjo nuk mund të thuhet për Kosovën. Vendndodhja jonë gjeografike, historia jonë aspak e qetë, nuk kanë qenë katalizatorë të zhvillimit, gjë që e shohim dhe sot e kësaj dite.

Ka një ndryshim të madh tashmë në dy shoqëritë, për shkak se Kosova u kthye vite pas për shkak të luftës. Tashmë njerëzit në Kosovë mendojnë më tepër të mbijetojnë, sesa të emancipohen. Por, me siguri mund të them se nëse lufta nuk do te kishte ndodhur, Suedia dhe Kosova do te ishin njësoj të emancipuara në shoqëri. Ne kemi patur gjithmonë njerëz të kulturuar, artistë, dijetarë, shkrimtarë që e kanë bërë jetën tonë në Kosovë të bukur. Njerëz ndërkombëtar vinin e shkonin dhe ne ishim të hapur.

Sot, Suedia është e emancipuar së tepërmi edhe në lidhje me të drejtat e grave, duke qenë ndër vendet e para në botë ku femrat janë të barabarta me meshkujt, ne çdo aspekt te jetës. Kjo, është e vështirë të thuhet për Kosovën. Te drejtat e grave është një temë mjaft delikate për mua, pasi angazhimi im publik ka patur gjithmonë si motiv këtë temë.

Telegrafi: A jeni e gatshme të ktheheni në Kosovë dhe të kontribuoni në sektorin e njëjtë, në mënyrë që sado pak ta sjellni në vendin tuaj përvojën që keni marrë në Suedi?

Aurora Pirraku: Asnjëherë nuk e kam harruar vendlindjen time, kështu që kjo përgjigje është e qartë si kristal. Patjetër që po. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë e gatshme që të mund të ndihmoj me aq sa mundem atdheun, Kosovën. Unë kam marrë një edukim mjaft të zgjeruar dhe kam patur mundësinë që të praktikoj së tepërmi, kështu që mendoj se do të mund të sillja diçka ndryshe në sektorin e Psikoterapisë.

Telegrafi: Përpos suksesit në profesionin tuaj, ju keni qenë e angazhuar edhe në politikë, në radhët e Partisë Socialdemokrate për Besim dhe Solidaritet, si shqiptare e vetme në këtë parti politike. Cili ka qenë angazhimi juaj në këtë aspekt, dhe si e vlerësoni punën e grave shqiptare në politikë?

Aurora Pirraku: Tani kemi femra shqiptare, që kanë pozita në parti: jo vetëm në partine SocialDemokrate, por edhe në parti të tjera. Është kënaqësi, kur ne femrat marrim pozita të larta, sepse ne përfaqësojmë vendet tona. Shqiptarët janë një popull me kulturë të lartë dhe të pastër. Ndaj, vjen natyrshëm që të jemi gjithkund në pozita vendimmarrëse, që të kemi mundësi të bëjmë ndryshime pozitive.

Telegrafi: Sa jeni e kënaqur me përfaqësimin e femrave  shqiptare –Kosovës, në postet e larat të shtetit, pra në vendimmarrje?

Aurora Pirraku: Historia e përfaqësimi të femrave shqiptare në vendimmarrje, është një histori jo fort e lumtur, të paktën në vitet e fundit. Për momentin, jam e kënaqur pasi shoh se shumë përmirësime janë bërë, dhe këto nuk janë vetëm sporadike. Shoh se ka një kulture tashmë, për të përfshirë femrat në vendimmarrje dhe se shumë femra të zonja konkurrojnë përkrahë meshkujve si të barabarta.

Kjo nuk është një luftë që fitohet me një betejë, por do të duhen shumë beteja. Shumë prej tyre do ti humbasim, por rëndësi ka që të vazhdojmë të ecim përpara pasi Kosova ka shume potencial. Femrat shqiptare në Kosovë, kanë vullnet edhe dëshirë për të përmirësuar dhe ato kanë një input shumë domethënës në vendimmarrje. A ka ende rrugë për të bërë? Shumë, por rëndësi ka që Kosova, është në rrugën e duhur dhe vetëm ecën përpara. Mua me kanë ftuar shpesh në takime me lidere të ndryshme politike në Kosovë, ku kam patur mundësinë që tu shpreh eksperiencën time të angazhimit politik në Suedi.

Telegrafi: Ne vjeshtë të këtij viti ju do të filloni me konsulta online me pacientë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Suedia?

Aurora Pirraku: Është gjëja më natyrale që një person të dojë të kontribuojë në vendin e vet. Kështu që në vjeshtë të këtij viti, 2020, do të nis konsulta online me pacientë nga Kosova, Shqipëria, Suedia dhe Maqedonia. Ka qenë gjithmonë qëllimi im, të mund të ndihmoj njerëzit dhe kështu, mendoj se tani ka ardhur momenti se unë kam një mundësi për ta bërë këtë.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për të gjitha femrat shqiptare që ëndërrojnë majat e suksesit?

Aurora Pirraku: Me lejoni t’ju tregoj diçka shumë personale: Unë erdha në Suedi në moshën 19 vjeçare me tre fëmijë. Jeta në Suedi është e mirë dhe e qetë, dhe kjo e bën njeriun të jetë i kënaqur me jetën e tij, dhe të mos kërkojë më shumë. Por, unë gjithmonë kam patur një gur nga Drenasi, nga vendi ku jam rritur dhe ku kam ëndërruar të punoj, të jetoj dhe të vdes.

Kur kam hasur vështirësi në jetë apo gëzime të mëdha, kam shikuar gurin tim dhe kam vazhduar dhe lexuar pa u ndalur. Guri është simboli nga jam dhe ku duhet të jem. Guri me jep sinjal konkret që çfarë ishte ëndrra ime kur isha fëmijë.

Premtimet që unë i kam në vetvete janë: në çdo minutë e sekondë, përkujdesja dhe sukseset nuk kam për t’i lëshuar. Fëmijët e mi do të jenë të përgatitur, që çdo e mirë që merret nga Suedia, t’ja kthejnë të tjerëve duke i ndihmuar si në Suedi, ashtu edhe në vendlindjen tonë në Kosovë e kudo ku gjenden shqiptarët.

Pra gjeni metodat tuaja që të kujtoni ëndrrat tuaja. Koha ecën, jeta ecën, por kurrë mos dilni nga rruga e suksesit. Vetëm më shkollim dhe punë arrijmë suksese për një jetë më të qetë dhe të mirë. Ndihmoni gjithmonë!

Intervista e realizuar nga bashkëpunëtorja e Telegrafit Lumturie Beka.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img