Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Instituti Bujqësor i Kosovës nuk menaxhoi si duhet resurset dhe proceset e zhvillimit të projekteve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit për të përmbushur qëllimin për digjitalizimin e tyre.
Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se dy sisteme të ndara në vlerë prej 567,406 euro ishin zhvilluar për të njëjtin qëllim, por pavarësisht shpenzimeve këto sisteme nuk janë duke u përdorur.
“Për më tepër, auditori ka vërejtur se kishte rritje të trefishtë të vlerës së kostos totale krahasuar me vlerën e planifikuar. Struktura e TI-së mbeti e papërcaktuar dhe rregulloret për organizimin e brendshëm, rolin dhe funksionimin e IBK-së nuk u përditësuan. Për shkak të mungesës së planifikimit të duhur të investimeve, në kuadër të kontratave të ekzaminuara janë bërë shpenzimet e panevojshme prej së paku 98,000 euro”, thuhet në raport.
Më tutje, auditimi konstatoi se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë të komisioneve profesionale të pranimit të produkteve të TI-së.
Gjithashtu, janë pranuar dhe miratuar produkte që nuk përmbushin specifikimet minimale teknike, sipas kontratës, si dhe ka mungesë të testeve të sigurimit të cilësisë.
Në raportin e auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” për periudhën 2017-2022 thuhet se siguria e informacionit dhe Plani për vazhdimësinë e biznesit për projektet e TI-së nuk ishin trajtuar nga Ministria apo Instituti.
“Më tej, nuk janë siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave dhe vazhdimësinë e funksionimit të sistemeve të informacionit. Ka mungesë të kontrolleve të qasjes fizike dhe mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore ose nga ato të shkaktuara nga njeriu. Mungojnë edhe kopjet rezervë të sistemeve të informacionit, gjë kjo që ndjeshëm rrit rrezikun e ndërprerjes së sistemit dhe humbjes së të dhënave”, thuhet në raport.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca është shprehur se bazuar në dëshmitë e auditimit, në fushën e sistemit të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës ka mungesë të sigurimit të cilësisë, mangësi në konfigurimin e sistemit si dhe në sigurinë dhe vazhdimësinë e sistemit.
“Mos menaxhimi i duhur në fushën e TI-së në këtë Institut rezultoi me sisteme jofunksionale dhe të papërdorshme të cilat nuk përmbushin qëllimin e blerjes dhe zhvillimit të tyre, për më tepër kanë krijuar shpenzime të panevojshme dhe dëmtime buxhetore”, citohet në raport Spanca.
Si rrjedhojë, me qëllim të adresimit të çështjeve të identifikuara lidhur me menaxhimin e projekteve të sistemeve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit në IBK, ZKA dha 15 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.