Administrata Tatimore e Kosovës nga muaji janar deri në shtator të këtij viti ka identifikuar dhe formalizuar 2.756 punëtorë të paregjistruar.
Në një komunikatë për media, ATK-ja ka filluar zbatimin e tri projekteve që ndikojnë në formalizmin e punëtorëve, si ai i punësimit joformal, ndërtimtarisë, akomodimit dhe shërbimit ushqimor, të cilat sipas ATK-së janë të bazuara në metodologjinë e vlerësimit të rrezikut.
Sipas ATK-së, këto tri projekte janë hartuar në bashkëpunim të ngushtë me FMN-në dhe përmes së cilave synojnë trajtimin e dukurisë së punësimit joformal ose punës së padeklaruar.
“Po ashtu, Qeveria e Kosovës është e orientuar në formalizmin e këtij sektori, përmes vendimeve të ndryshme, si dhe përmes Pakos për Ringjallje Ekonomike, konkretisht përmes masave 1.1., 1.2. dhe 1.3., të cilat janë input shumë i rëndësishme në deklarimin e punëtorëve, por edhe rritjes së sensibilizimit të punëtorëve për të kërkuar që të deklarohen nga ana e punëdhënësit. ATK-ja inkurajon të gjithë punëdhënësit dhe punëtorët që të aplikojnë për të përfituar nga masat 1.1., 1.2. dhe 1.3., pasi duke deklaruar punëtorët do të ndihmojnë në uljen e informalitetit në këtë sektor”, thuhet në njoftim.