Site icon PrishtinaPress

ATK, ndëshkimet tatimore më të lartat në Ballkan

Vetëm për tetë muajt e këtij viti borxhet e bizneseve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kapin shifrën e mbi 22 milionë eurove, ndërkaq interesi që bizneset duhet ta paguajnë prej 0.7 % në muaj apo 8.4 % në vit, pas skadimit të afatit të përmbushjes së detyrimeve tatimore, është konsideruar i lartë nga njohës të çështjeve ekonomike.
Sipas tyre, ngarkesat dhe ndëshkimet tatimore ndaj bizneseve të Kosovës janë më të lartat në Ballkan dhe ato ua vështirëson përballjen me bizneset konkurruese nga vendet e rajonit.
Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi-Sefa, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re”,se në këtë institucion për faljen e borxheve kanë aplikuar vetëm 7 018 biznese.
Ndërkaq sa iu përket borxheve totale të bizneseve gjatë periudhës janar-gusht 2016, ajo ka thënë se ato arrijnë në mbi 22 milionë euro. “Borxhi i ri deri më tani sa i përket këtij viti është 22 639 938.43 euro, kurse borxhi total deri në fund të vitit 2015 ishte 463 795 298.85 euro”, ka deklaruar Bytyqi Sefa. Ndërkaq sa i përket interesit ndëshkues për mospagim të tatimit me kohë, ajo ka thënë se karshi viteve të shkuara, norma e interesit ndëshkues ka shënuar rënie. “Për mospagesën e tatimit në kohë reale, përveç ndëshkimeve administrative të parapara me legjislacionin tatimor, aplikohet edhe interesi i përcaktuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Interesi aplikohet nga data e skadimit të afatit të përmbushjes së detyrimit tatimor dhe zgjat deri në kryerjen e tërësishme të obligimit tatimor. Deri më 31.12.2014 interesi ishte 1.25 % në muaj apo 15 % në vit. Gjatë vitit 2015 interesi ishte 0.91 % në muaj apo 10.92 % në vit, kurse nga data 1.1.2016 e tutje interesi është 0.7 % në muaj apo 8.4 % në vit”, ka deklaruar ajo.

Exit mobile version