2.7 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

ATK: Bizneset në veri duhet të regjistrohen ose ndëshkohen

Administrata Tatimore e Kosovës është duke kërkuar nga bizneset që veprojnë në Mitrovicë të Veriut, të regjistrohen në sistemin e Kosovës.

Shumë biznese atje, ashtu si edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në veri, nuk janë të evidentuara.

Kjo do të thotë se ato, prej vitesh, nuk i paguajnë asnjë detyrim shtetit të Kosovës.

Në fakt, popullata serbe në veri, që nga paslufta, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës, por atyre të Serbisë, që funksionojnë në zonë përmes strukturave paralele.

Edhe kërkesën e fundit të ATK-së, disa udhëheqës serbë të bizneseve me të cilët bisedoi REL-i në Mitrovicë të Veriut, thanë se do ta shpërfillin.

Pronarja e një salloni të bukurisë, e cila foli në kushte anonimiteti, tha se ka dëgjuar se inspektorët tatimorë, të shoqëruar nga policia, i kanë paralajmëruar pronarët e bizneseve se duhet të regjistrohen, por se ajo nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë – së paku tash për tash.

Sipas saj, ky është edhe një tjetër “presion” mbi serbët në veri, që, siç tha, vjen në “kohë të gabuar”.

Ajo nuk specifikoi më shumë, por tha se nëse nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, do të interesohet për procedurat e regjistrimit të biznesit.

Pronarja e një dyqani ushqimor tha se të ardhurat e saj nuk do të ishin të mjaftueshme, nëse do t’i duhej të paguante taksa.

“Derisa shkon kështu, unë do të punoj… Kur të vijë koha [e regjistrimit], do ta llogaris nëse një gjë e tillë është mjaft fitimprurëse. Tani për tani, nuk e kam ndërmend… Dhe mendoj se nuk do të më mbyllet lokali, pavarësisht presioneve nga të gjitha anët”, tha kjo sipërmarrëse serbe.

ATK: Bizneset në veri duhet të regjistrohen

Javën e kaluar, inspektorë të Administratës Tatimore të Kosovës vizituan disa biznese lokale në Mitrovicë të Veriut dhe iu kërkuan atyre që të regjistrohen në sistemin e Kosovës. Aktiviteti i inspektorëve vazhdoi edhe në fillim të kësaj jave, përkatësisht më 4 shtator.

Drejtori rajonal i ATK-së, Besim Halili, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e bizneseve të inspektuara, janë të paregjistruara, por nuk ofroi shifra konkrete.

Ai tha se pronarëve u janë dhënë shtatë ditë kohë për të regjistruar veprimtarinë e tyre.

“Nëse kanë nevojë për afat shtesë, ne mund ta vazhdojmë, për shkak se është problem… Qendra të regjistrimit të bizneseve – mesa kam unë informacione – nuk ka në këto komuna. Ata [përfaqësuesit e bizneseve] duhet të shkojnë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë [për t’u regjistruar]”, tha Halili.

Nga të dhënat e kësaj ministrie, dërguar REL-it, nuk vërehet ndonjë rritje e regjistrimit të bizneseve.

Gjatë krejt muajit gusht, nga komunat me shumicë serbe në veri janë regjistruar vetëm tri biznese – dy nga Mitrovica e Veriut dhe një nga Leposaviqi. Ndërsa, në periudhën 1-6 shtator nuk figuron ndonjë biznes i regjistruar.

Aplikimi për regjistrim të bizneseve mund të bëhet në çdo qendër komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Aplikimi mund të bëhet edhe online.

Çka ndodh nëse nuk regjistrohen?

ATK-ja planifikon ta shtrijë inspektimin edhe në komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Halili tha se nëse bizneset nuk regjistrohen, do të pasojnë gjoba, ose do të regjistrohen nga vetë ATK-ja.

“ATK-ja e ka të drejtën e regjistrimit të bizneseve, në rast se ato nuk regjistrohen vetë. Nëse tatimpaguesi refuzon të regjistrohet, administrata e regjistron vetë për çështje tatimore, i lëshon numër fiskal biznesit në mënyrë të rregullt dhe mund të llogarisë në obligimet tatimore. Në të kundërtën, [biznesi i paregjistruar] mund të gjobitet me gjobë fillestare prej 500 eurosh”, shpjegoi Halili.

Të regjistruara, por pa arka fiskale

Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në katër komunat me shumicë serbe në veri janë të regjistruara 3.796 biznese, që ushtrojnë veprimtari të ndryshme.

Leposaviqi është komuna me numrin më të madh të bizneseve të regjistruara, përkatësisht 1.472; pason Zveçani me 854, Mitrovica e Veriut me 807 dhe Zubin Potoku me 663.

Por, edhe pse janë të regjistruara, sipas Halilit, ato nuk janë të pajisura me pajisje elektronike fiskale, që regjistrojnë hyrje-daljet, rrjedhimisht tatimet që janë të obliguara t’i paguajnë në Administratën Tatimore të Kosovës.

Halili tha se pajisja e tyre me arka fiskale do të shqyrtohet në ndonjë rast më vonë.

Presion mbi inspektorët serbë

Administrata Tatimore e Kosovës ka 13 inspektorë për rajonin e Mitrovicës, prej të cilëve tre janë të komunitetit serb, një boshnjak dhe të tjerët shqiptarë.

Halili tha se gjatë inspektimeve të fundit në Mitrovicë të Veriut kanë qenë të pranishëm edhe inspektorë të nacionalitetit serb, ndaj të cilëve, siç tha, ka pasur presion nga pronarët e bizneseve serbe.

Ai tha se gjatë dy ditëve të fundit janë pezulluar aktivitetet e inspektimit dhe se një arsye për këtë ka qenë pikërisht “presioni dhe frikësimi i inspektorëve serbë”.

“Më 5 shtator kam kërkuar nga ATK-ja që të vijnë në ndihmë dy inspektorë të nacionalitetit serb nga komuna e Graçanicës. Po atë ditë kam pasur informatë se do të vijnë, por më pas më kanë njoftuar se nuk vijnë, për shkak se kanë hyrë në pushim mjekësor”, tha Halili.

REL-i pyeti në ATK për arsyen e mosdërgimit të inspektorëve shtesë, por nuk mori përgjigje.

“Unë e kuptoj që kanë presion, por derisa janë inspektorë, duhet të veprojnë… Nëse i nënshtrohemi presionit, atëherë përse ekzistojmë si institucion”, u shpreh Halili.

OEK: Bizneset e paregjistruara i dëmtojnë ato formale

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se bizneset e paregjistruara në veri, kanë dëmtuar bizneset që operojnë në mënyrë ligjore.

Ai tha se mekanizmi që drejton, përkrah çdo iniciativë për formalizimin e bizneseve, rrjedhimisht për eliminimin e konkurrencës së padrejtë.

“[Bizneset e paregjistruara] i dëmtojnë bizneset që lëshojnë kuponë fiskalë. Në njëfarë forme, këto biznese [të paregjistruara] mund të kenë mallra të kontrabanduara, me çmime më të lira, dhe padyshim se i dëmtojnë bizneset që veprojnë drejt, konform dispozitave ligjore të shtetit tonë”, tha Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Rafuna kujtoi se bizneset në veri, përveçse nuk paguajnë obligime tatimore, nuk paguajnë as për rrymën dhe ujin e shpenzuar.

Banorët në këtë zonë – shumica serbë – që nga paslufta më 1999 nuk paguajnë as rrymë, as ujë.

Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.

Borxhi për rrymë llogaritet t’i ketë kaluar 300 milionë euro, ndërsa për ujë mbi 15 milionë euro.

Çështja e mospagesës së këtyre shërbimeve është ngritur disa herë, si në kuadër të politikës së brendshme të Kosovës, ashtu edhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por deri më tash nuk ka ndonjë zgjidhje të zbatueshme./rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img