8.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Atentati i dështuar i serbëve për të vrarë, Walker: Po të vdisja, bota s’do të dinte për Reçakun

24 vjet më parë, më 13 janar të vitit 1999 një polic serb tentoi ta vriste në Prishtinë kreun e misionit verifikues për Kosovën te OSBE-së, William Walker, i cili i tregoi botës për krimet që Serbia kreu ndaj popullatës civile në Kosovë.

E për atë se si kishte ndodhur krejt kjo, ambasadori Walker tregon në një intervistë për KP.

Tentimvrasja e orkestruar nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviq, sipas Walker është cilësuar si incident dhe për këtë thotë se nga autoritetet serbe kishte marrë përgjigje qesharake.

Ndërsa tregon se ishin truprojat e tij, ata që e shpëtuan nga një granatë dore me të cilën polici serb ia kishte mësyrë ta vriste.

“… Një ditë para masakrës së Reçakut, ne patëm një incident këtu, në rrugë, ku disa policë serbë, besoj policë nga Beogradi, patëm një incident të vogël, dhe truprojat e mia të sigurisë, të gjithë të rinj kosovarë, djem të rinj, ata menduan se panë një nga këta policët serbë të vinte kundër meje me granatë dore, unë nuk pashë një granatë dore, por më futën në një makinë të blinduar, më çuan në zyrë, unë insistova të kthehesha në rrugë këtu ku ishte banesa ime dhe fola me disa policë, policë serbë, dhe ata nuk dolën me përgjigje shumë të mira për atë se çfarë kishte ndodhur, kërkova të takohesha me komandantin e tyre dhe më në fund takova komandantin, dhe sipas Millosheviqit, siguria ime ishte përgjegjësi e qeverisë së Serbisë, dhe unë thashë, mirë, një nga policët tuaj, mendohet se më ka ardhur me një granatë dore, dhe nuk e di nëse është e vërtetë, por kur u përpoqa të hetoja dhe të zbuloja se çfarë kishte ndodhur, mora përgjigje qesharake”, thotë ai.

Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tregon edhe se serbët e kishin mohuar madje një gjë të tillë. Madje ai tregon saktësisht se edhe më kë kishin kontaktuar atëbotë për të hetuar rastin.

“Fola me gjeneralin Lonçar, i cili ishte lidhja ime e komunikimit me Millosheviqin. Unë fola me Nicola Shainoviq, i cili ishte zëvendëskryeministri përgjegjës për Kosovën, u thashë se kjo ka ndodhur dhe ata më thanë, nuk ndodhi, se truprojat e mia po gënjenin. Nuk e di se sa e vërtetë ishte kjo, por ishte një incident, nuk ishte një incident i këndshëm, dhe një polic serb shumë i dehur u fut në një makinë policie dhe u largua i ulur në sediljen e pasme të makinës së policisë me një kallashnikov pranë tij, dhe unë pyes se a është kjo mënyra se si i pyet njerëzit këtu, e le të futet në një makinë policie me automatik brenda, gjithsesi, ishte një incident shumë i çuditshëm dhe sot erdha këtu me truprojën time kryesore, dhe ai më tregonte se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, dhe më thotë se ishte një tentim vrasje për të më vrarë. Unë nuk e dija këtë, ata kurrë nuk më thanë këtë”, tregon Walker.

Walker thotë për KosovaPress se nëse nuk do t’i shpëtonte atentatit dhe nëse bota nuk do të kishte dëgjuar për Reçakun, ngjarjet do të kishin një tjetër rrjedhë.

“Kjo është një pyetje shumë e mirë. Sa isha këtu, pas kësaj, kur kthehesha në Kosovë për të vizituar Kosovën e lirë dhe të pavarur, njerëzit shpesh më pyesnin, a nuk ke frikë se dikush do të tentojë të të vrasë? Unë kurrë nuk kam qenë i shqetësuar për këtë. Unë nuk kam qenë shok i Sllobodan Millosheviqit, por e dija se ai ishte shumë inteligjent për të vrarë një ambasador amerikan. Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, nëse do të më kishin bërë atentat, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur. Unë mendoj se, ideja ime, besimi im është se, për shkak të asaj që ndodhi në Reçak, arrita atje menjëherë, i tregova botës me ndershmëri atë që kisha parë dhe kush mendoja se ishte përgjegjës, dhe kjo filloi një shpërthim lajmesh, gazetarë si ju, nga Kosova, nga Serbia, nga Evropa, nga e gjithë bota, dhe sa më shumë që Millosheviqi u përpoq të thoshte që ‘Walker gënjen, Walker nuk e di se për çfarë po flet, Walker punon për CIA-n’, të gjitha këto budallallëqe, Millosheviqi dhe Vuçiq, dhe Shainoviq thanë për përshkrimin tim për Reçakun, ata më shpallën persona non grata, gjë që bëri lajme të mëtejshme në mbarë botën, dhe gazetarë nga e gjithë bota erdhën këtu të dinë çfarë ndodhi në Reçak, kush është ky njeri Walker? Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, nëse do të më kishin vrarë mua, nëse askush nuk do të kishte dëgjuar për Reçakun, nuk jam i sigurt nëse Kosova do të ishte një vend i pavarur, i lirë e demokratik në Ballkan sot. Ju do të mund të kishit qenë ende një krahinë e Serbisë, duke jetuar në kushtet se si e trajtonin popullatën shqiptare këtu”, thotë ambasadori Walker.

Tentim vrasja ndaj ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, William Walker ndodhi 13 janarin e vitit 1999, në zonën e njohur “Qafa” në Prishtinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img