Site icon PrishtinaPress

Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale: Haxhiu t’i përmbushë obligimet e jo të sulmojë

Reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ndalimin e një zyrtareje të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, ka nxitur reagimin e Asociacionit të Qendrave për Punë Sociale. Ky asociacion ka thënë është shqetësuar nga “deklaratat dhe presioni politik dhe ndërhyrjet nga Ministria e Drejtësisë”.

Të premten, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi për ndalimin e dy zyrtarëve të QPS-së nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare. Të dy zyrtarët, me inicialet V.M., sipas njoftimit të Prokurorisë, dyshohet kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin nga këta persona e kanë punësuar si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, “përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”.

Pak orë pas njoftimit të Prokurorisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar në Facebook se më 13 korrik kishte njoftuar personat përgjegjës se personi i caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, “nuk ishte i licencuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë”.

“Vlerësoj trajtimin serioz të këtij rasti, nga ana e policisë dhe prokurorisë. Çdo zyrtar publik sikurse edhe ne, e kemi për obligim zbatimin e përgjegjësive sipas legjislacionit në fuqi dhe sidomos në rastet kur bëhet fjalë për fëmijë të mitur. Qendrat për punë sociale do ta kenë mbështetjen tonë por assesi shkeljet nuk do t’i tolerojmë”, ka shkruar të premten Haxhiu.

Në një reagim të shtunën, Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale ka thënë se qasja e Haxhiut “mund të jetë precedent i rrezikshëm për të ardhmen e punës profesionale të punonjësve profesional të shërbimeve sociale dhe të QPS-ve”.

Asociacioni ka kërkuar nga mekanizmat e drejtësisë trajtimin në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje të rastit të ndalimit të zyrtarëve të QPS-së në Prishtinë.

Asociacioni tutje ka paraqitur sfidat me të cilat përballen QPS-të duke akuzuar ministren Haxhiu se “duhet të kujdeset për përmbushjen e obligimeve të saj karshi përgjegjësive që ka e jo të merret e të atakojë individë e QPS-të në formë të tilla”.

QPS-të janë ankuar se kanë mungesë resursesh njerëzore, logjistike, mjete financiare për ofrim shërbimesh e kanë thënë se të gjitha i kanë shprehur në takimet në të gjitha nivelet.

“Asociacioni i QPS-ve në vazhdimësi ka shprehur brengat e saj, nga shpërbërja e Ministrisë se Punës e Mirëqenies Sociale, riorganizmit te Departamentit për Politika Sociale, ku kemi shprehur e kemi vlerësuar se të gjitha këto kanë dëmtuar qasjen e hartimit të politikave sociale dhe fuqizimin e sistemit të mirëqenies sociale përgjithësi në mënyrë te vazhdueshme. Për mbi një vit nuk ka qenë e konsoliduar përbërja e Këshillit të Përgjithshëm për Shërbime Sociale dhe Familjare i cili mekanizëm është përgjegjës për trajtimin e kërkesave dhe licencimin e ofruesve individual të shërbimeve sociale, e cila përgjegjësi i ka takuar Ministrit të linjës ta përmbush. E për rrjedhojë shumë ofrues të shërbimeve familjare nga sektori publik dhe jo qeveritar kane pritë më shumë se një vit e janë ende në pritje të licencave për ofrues te shërbimeve”, thuhet në reagim të Asociacionit të QPS-ve.

QPS-të janë ankuar edhe për mosfinalizim të projektligjit të shërbimeve sociale e familjare, mospërfundimin e udhëzimeve administrative dhe mosaprovimin e rregullores së brendshme për organizimin dhe sistematizimin e dikasterit.

“Ministria e Drejtësisë duhet te përkujdeset të ndihmoj QPS-te para se të sulmojë, të avokojë fuqishëm për ecjen para të Ligjit për Financa të pushtetit Lokal ku parashihet granti specifik për shërbime sociale që nënkupton financa për shërbime efikase dhe kualitative. Duhet të rivendosë në agjendë legjislative ligjin e shërbimeve sociale dhe të përcaktojë qartë standardet për angazhimin e punonjësve social me specifikat dhe indikatorët për kokë banori”, thuhet në reagim.

Asociacioni i QPS-ve ka thënë se deklaratat e Haxhiut janë përcjellë me linçime e kërcënime ndaj zyrtarëve. Ka kërkuar nga Haxhiu “që deri sa Gjykatat të vërtetojnë shkeljet ligjore të ketë kujdes me deklarata publike sepse mund të rrezikojë jetën e personave në fjalë dhe për këtë mban vetë përgjegjësi”.

“Zonja Haxhiu dhe të tjerë në pozita politike duhet ta kuptojnë që ushtrimi i ndikimit për menaxhimin e lëndëve profesionale janë të ndaluara rreptësishtë me Ligjin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare. Qasja e Zonjës Haxhiu ndaj rastit duhet të jetë gjithëpërfshirëse e jo te kërkojë drejtësi selektive”, thuhet në reagim.

Në fund QPS-të kanë kërkuar reflektim të të gjitha palëve në sistem, si nga ai qendror e si nga ai lokal.

Exit mobile version