Profesori Ferhat Bejtullahi humbi jetën mbrëmjen e 2 dhjetorit, pasi u godit nga një veturë në rrugën ‘Bill Klinton’ dhe për pasojë pësoi lëndime të rënda, që nuk arriti t’iu mbijetojë përkundër që u dërgua në QKUK për trajtim. Por i dyshuari që shkaktoi këtë aksident me fatalitet, edhe pse u shoqërua në Polici, ndaj tij nuk u lëshua vendim për masën e ndalimit policor.
Vullnet Gashi, i cili është djali i biznesmenit Burim Gashi, nuk e kaloi as një orë në Qendrën e Mbajtjes, pasi Prokurori i Shtetit e liroi dhe nuk urdhëroi ndalimin e tij.
Biznesmeni Burim Gashi, i cili është pronar i kompanisë “Agro Llapi”, i njohur për lidhjet e tij të fuqishme me politikën e me grupe të fuqishme të interesit.
Siç raportohet, ai ka përfituar një varg benefitesh nga fondet publike.
Ndryshe, edhe Policia e ka konfirmuar se i dyshuari është liruar, në njoftimin për vdekjen e këmbësorit.
“I dyshuari mashkull kosovar duke drejtuar automjetin e tij dyshohet se nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima pasi ka arritur në QKUK, duke mos i përballuar lëndimeve të marra ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pa intervistimit është liruar ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion. “ – thuhet në njoftimin e Policisë, të datës 3 dhjetor.
Akoma nuk dihet se cila është arsyeja që Prokurori nuk ka urdhëruar që i dyshuari Vullnet Gashi të ndalohet pasi dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet.