Shqipëria ka marrë dy fitore në dy ndeshjet miqësore të muajit qershor dhe tanimë kanë udhëtuar drejt Gjermanisë për t’i vazhduar përgatitjet për Euro 2024.
Kuqezinjtë ndodhen në një grup tejet të vështirë, pasi kanë punë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë në Grupin B.
Pas fitores ndaj Azerbajxhanit, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani ka folur për mediumin italian SportMediaset, duke thënë se do të befasojnë në Gjermani.
“Jemi në një grup të fortë dhe nuk na llogaritin, por ne kemi arritur këtu me meritë, duke djersitur shumë. Po punojmë shumë për të bërë të tjera surpriza, duke nisur nga ndeshja me Italinë, të cilën mezi e pres”.
“Kam folur shpesh me shokët e mi te Interi për këtë përballje. Tani kam luajtur dy ndeshje miqësore të plota dhe kam ritmin e duhur në këmbë. Jemi gati të bëjmë maksimumin në fushë”,u shpreh Asllani.
Emri i mesfushorit shqiptar është përmendur shpesh për një lëvizje nga Interi, megjithatë Asllani ka konfirmuar se do të mbetet pjesë e kampionëve në fuqi të Italisë.
“Te Interi më kanë ndihmuar shumë dhe këtë sezon kam marrë më shumë minuta. Jam rritur shumë dhe po punoj për t’u përmirësuar edhe më shumë. Nuk do të largohem nga Interi, pavarësisht zërave të afatit kalimtar”, deklaroi Asllani.