Site icon PrishtinaPress

ASK: Kosova pritet t’i ketë 1.5 milion banorë rezidentë

Rreth 1.5 milion banorë pritet t’i ketë Kosova me regjistrimin e popullsisë, pa përfshirë diasporën.

Kështu ka deklaruar Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, i cili tha se deri tash janë regjistruar 1 milion e 300 mijë banorë.

“1.3.000 milionë banorë janë regjistruar, e kemi edhe një javë kohë deri më 17 maj. Ekziston kontakti me regjistruesin e zonës për ata që s’janë regjistruar. Regjistruesi lë një numër kontakti dhe një email për të treguar se ku mund të kontaktohet për t’u kthyer. 1.5 milionë banorë pritet t’i ketë Kosova pa përfshirë diasporën”, ka deklaruar Kastrati.

Krahasuar me vitin 2012, Kosova pritet të ketë 200 mijë banorë më pak, e që Kastrati e ka lidhur me emigrimin.

“Është edhe shtimi natyror, rreth 23.000 lindje në vit, 10.000 vdekje, ka pasur edhe emigrim të lartë nga Kosova…Ka pasur edhe sfida për ekipet, kryesisht në zonat kodrino-malore. S’kemi mundur t’i mbështesim të gjitha ekipet e regjistrimit, pagesa ka qenë e mirë, është përfshirë edhe kostoja e udhëtimit. E kemi edhe mbështetjen e komunave”, ka thënë ai në KTV.

Për shkak të numrit të madh të popullsisë në Prishtinë dhe Prizren, Kastrati tha se procesi i regjistrimit ka mbetur pak prapa në këto dy qytete.

AI tha se ka edhe lagje që s’kanë pranuar kolektivisht të regjistrohen “derisa komuna t’ua plotësojë kërkesat”.

“Në Prishtinë ka shumë banesa ku regjistruesi tenton t’i kontakton, e s’është askush aty. Në Prishtinë kemi pasur sfidë edhe për stafin pasi është dashur që regjistruesit të mos jenë persona nën hetime, t’i gjejmë të tillë….Shumica janë të nivelit komunal, kanë kërkesa specifike, kërkojnë ujësjellës. 10-15 shtëpi jashtë Prishtinës që dikush iu ka premtuar që të kenë infrastrukturën, ata e shfrytëzojnë procesin e regjistrimit për kërkesa”, ka thënë Kastrati.

Ai ka folur edhe për procesin e regjistrimit në komunat veriore, ku tha se janë regjistruar rreth 1 mijë qytetarë nga rreth 30.000 banorë sa mund të jenë.

“Mund të jenë rreth 1.000 të regjistruar nga komuniteti serb në veri, atje regjistrimi ka nisur me vonesë e kjo shifër është inkurajuese. Përkundër thirrjes së Listës Serbe, ata (serbët) kanë shprehur vullnetin për t’u regjistruar”, shtoi ai.

Kastrati ka deklaruar se sipas statistikave dhe matjeve, deri në 2050-n Kosova mund t’i ketë rreth 700.000 banorë për shkak të uljes së shkallës së fertilitetit. Kjo sipas tij, është sfiduese për Kosovën, por edhe për vendet e rajonit.

Exit mobile version