Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, po qëndron sot për vizitë në Kosovë, ku ka shprehur gatishmërinë e saj që të ndihmojë në procesin e dialogut me Serbinë.
Në një konferencë të organizuar nga Grupi për Ballkanin, Ashton ka thënë se synimi është që të shkohet përpara, teksa përmendi deklaratën e djeshme të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili tha se “nuk jemi në kohën e Ashton, Thaçit e Daçiqit”.
“Unë mbes e angazhuar në dialog dhe nëse mund të bëjë diçka në mbështetje të dialogut, qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, që ata të ecin përpara, do ta bëja, nëse dikush më fton. Kryeministri Kurti e tha dje se ‘nuk jemi në kohën e Ashton, Thaçit dhe Daçiqit, dhe ka të drejtë për këtë. Unë do të isha e lumtur të ndihmoja, por jam e vetëdijshme se duhet lidership”, tha ajo.
Ajo ka thënë se BE dhe SHBA janë bashkë, sikur në fillim të procesit të dialogut, që t’i shtyjnë përpara gjërat.
Sipas saj procesi i dialogut nuk ka qenë asnjëherë i lehtë.
Kujtojmë se në kohën e Ashton kishte nisur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.