Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, ka folur të premten në Prishtinë për rëndësinë e bërjes së kompromiseve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur diçka më të madhe.
Në një bashkëbisedim me ish-të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Philip Reeker, Ashton ka folur për vështirësitë në dialogun mes dy vendeve në kohën kur ajo e ka ndërmjetësuar këtë proces 10 vjet më parë.
“Shpresoj që e kuptoni sa të rëndësishëm jeni për mua”, ka thënë ajo, duke shtuar se beson që e ardhmja e Kosovës do të jetë në Bashkimin Evropian.
Në diskutimin e organizuar nga Grupi për Ballkanin, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Ashton ka thënë se dialogu nuk ka qenë kurrë i lehtë, dhe zbatimi i marrëveshjeve është gjithmonë diçka më e vështirë sesa arritja e tyre.
“Është e rëndësishme që dialogu të shihet si diçka që rrjedh në vazhdimësi, nuk më takon mua, apo Reekrit, ju takon juve. Dialogu ju takon juve dhe Serbisë”, ka thënë Ashton.
“BE-ja bën vazhdimisht kompromise të brendshme për të fituar diçka më të madhe, por pa hequr dorë nga parimet. Megjithatë, duket gjetur mënyra si mund të bëni ndryshime të vogla për të krijuar diçka më të madhe”.
Nën ndërmjetësimin e Ashtonit, Kosova dhe Serbia e kanë arritur marrëveshjen e parë në kuadër të dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.
Ajo ka thënë se shpreson që dialogu mes dy vendeve do të kalojë në fazë të re, ndonëse e ka përmendur se nuk do të jetë e lehtë.
“Jam e përkushtuar për dialog dhe për të ndihmuar në për t’iu ndihmuar vendeve në rrugën e tyre drejt BE-së”.
Rundi i ri i dialogut të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur më 14 shtator.
Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për një epilog të tillë.