Vrasja qe dyshohet se ndodhi për shkak të një rezervimi të një tavoline në një lokal në Mitrovicë, ende nuk është zbardhur. Ermal Kamberaj, i riu 24-vjeçar dyshohet se u vra nga Sadik Bajrami, për të cilin tashmë është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Asgjë të re nuk ka nga hetimer për vrasjen që tronditi Kosovën në maj të vitit të kaluar.
I riu Ermal Kamberaj, punonte si menaxher në një lokal në Mitrovicë, dhe dyshohet se u vra për shkak të një rezervimi për një tavolinë.
Gazeta Express ka biseduar me Avni Zahitin, zëdhënës i Rajonit të Policisë në Mitrovicë, por ai tha se nuk ka asgjë të re sa i përket kapjes së personit të dyshuar.
“Jo nuk kemi asgjë të re, i dyshuari ende nuk është kapur, por për këtë është lëshuar edhe fletarrest ndërkombëtar”, tha Zahiti për Express.
Gazeta Express ka raportuar për vrasjen e të riut që ndodhi në natën e 5 majit rreth orës 21:30 në lokalin ku ai punonte si menaxher.Fillimisht u tha se Ermali u vra për shkak të një rezervimi të një tavoline, mirëpo ky version nuk është thënë zyrtarisht, pasi ende nuk është kapur vrasësi.
Ermali, dyshohet se u vra nga Sadik Bajrami, 38 vjeç, nga Shipoli i Mitrovicës. Ai u qëllua me 3 plumba në kraharor.
Express ka raportuar në maj të 2017’s se Sadik Bajrami ka ikur diku në Shqipëri, por as për këtë informatë, ende asgjë nuk është bërë e ditur zyrtarisht.