Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli i ka parashtruar sot Kuvendit të Komunës kërkesën për hapjen e Urës së Ibrit.
Kjo kërkesë e saj ka marrë shumicën e votave, pra përkrahjen e 11 asamblistëve të Kuvendit dhe vetëm asamblisti serb Dushan Milunoviq ka qenë kundër dhe një tjetër që ka abstenuar.
Ferati-Doli e ka shpjeguar kërkesën që ka paraqitur duke thënë se është “koha e fundit” që të mundësohet liria e lëvizjes nëpër urën që ndan anën veriore dhe jugore të qytetit.
Ajo ka shpjeguar se kjo kërkesë ende nuk i është përcjellë Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare në Kosovë.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar menjëherë Petar Petkovic duke e quajtur si “provokim” dhe përpjekje të kryeministrit Albin Kurti për “të prishur takimin e Brukselit më 2 maj”./PrishtinaPress/