Mbledhja urgjente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së ka nisur me një minutë heshtje. Në fjalën hyrëse Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Abdulla Shahid nga Maldivet ka përsëritur thirrjen për armëpushim të menjëhershëm.
Ai u ka bërë thirrje palëve që të shfrytëzojnë mundësinë e rrallë për dialog dhe që në mnëyrë kuptimplotë dhe me shpejtësi ta deskalojnë situatën.
Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme mbahet pas vendimit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), që dje miratoi projekt-rezolutën për seancë të jashtëzakonshme për çështjen e Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ku do të marrin pjesë 193 vende anëtare.
Projekt-rezoluta e paraqitur nga SHBA-ja dhe Shqipëria, u miratua me votën “pro” të 11 nga 15 anëtarët, ndërkohë që Rusia ishte vendi i vetëm që ishte “kundër”. Ndërsa kanë abstenuar Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Takimet e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme në OKB zhvillohen me kërkesën e të paktën 9 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ose me shumicë votash një më shumë se gjysma e shteteve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Pesë anëtarët e përhershëm (Rusia, SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Kina) që kanë të drejtën e vetos në rezolutat e Këshillit të Sigurimit, nuk mund të përdorin të drejtën e vetos rreth kërkesës për një mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme.
Pas miratimit të projekt-rezolutës në fjalë nga KS-OKB-ja, nesër do të zhvillohet takimi i jashtëzakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme me 193 anëtarë. Në bisedimet e Asamblesë së Përgjithshme pritet të dënohen sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës dhe të votohet një projekt-rezolutë ku do të bëhet thirrje për t’i dhënë fund menjëherë pushtimit.