Asambleja e Kombeve të Bashkuara ka votuar rezolutën për paqe në Ukrainë, kur po hymë në njëvjetorin e luftës së paprovokuar të Rusisë.
Sipas kësaj rezoluteje, që është propozuar nga Gjermania, do të urdhërohet menjëherë tërheqja e forcave ruse nga Ukraina, raporton Deutsche Welle, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Dokumenti përsërit kërkesën e saj që Federata Ruse të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe bën thirrje për ndërprerjen e armiqësive”, thuhet në rezolutë.
Nga të gjitha shtetet anëtare, 141 votuan pro kësaj rezoluteje, 7 votuan kundër ndërsa 32 shtete abstenuan, në mesin e tyre Kina dhe India.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë të detyrueshme, dhe kanë kryesisht peshë simbolike në Kombet e Bashkuara. Megjithatë, ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, Rusia nuk mund t’i kundërshtojë ato në mënyrë të njëanshme. /Reporteri.net/.