Site icon PrishtinaPress

Asambleisti i PDK-së nga Skenderaj i kërkon Kadri Veselit reforma dhe “Veting” në parti

Asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Skenderajt, Ilir Ejupi, i ka shkruar një letër të hapur kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilit i ka kërkuar “Veting” dhe reforma në parti.

Ejupi kërkon thotë se me shumicë PDK-ja përbëhet nga njerëz të ndershëm, kombëtar, intelektual dhe punëtorë, prandaj duhet të lirohet nga zhvatësit dhe të korruptuarit, duke i prirë procesit të dekriminalizimit të skenës politike në Kosovë, transmeton Veriu.info.

Kujtojmë se Ilir Ejupi i ka dhënë përkrahje të madhe kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari, e cila e kishte irrituar Sami Lushtakun, i cili ishte munduar ta përjashtoj Ejupin dhe gjashtë asambleistë të tjerë.

Ja postimi i plotë i Ilir Ejupit në Facebook:

Letër e hapur drejtuar kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli

Mos na zhgënje i nderuar dhe shumë i respektuar z. Kadri Veseli ! Duam Reforma dhe ‘Veting’ në zgjedhjet e PDK-së !

Zgjedhjet e brendshme në PDK janë moment i rëndësishëm i reflektimit të lidershipit, të strukturave dhe anëtarësisë së saj. Partia Demokratike e Kosovës është bartëse e të gjitha proceseve të rëndësishme në vend që nga shpallja e Pavarësisë e këtej, por përveç të arriturave ka edhe përgjegjësinë e saj për deformimet që kanë ndodhë në qeverisje nga eksponentë, individë dhe grupacione të caktuara në PDK, të cilët e shfrytëzuan partinë dhe pushtetin për t’u pasuruar për vete, për të cilët PDK është biznes familjar.
Në aspektin e zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, të përmirësimit të mirëqenies sociale, ngritjes së pagave për të gjitha kategoritë, qeverisja e PDK-së në vitet e kaluar lirisht mund të thuhet se ishte bindshëm më e mira. Por, gjithashtu mund të themi se individë dhe grupacione të caktuara brenda PDK-së kanë abuzuar me pushtetin duke e përdorur atë për vete, për përfitime personale, familjare e grupore, por jo edhe për interesin e qytetarëve. Individët dhe grupacionet që e keqpërdoren Partinë Demokratike të Kosovës, që keqpërdoren pushtetin dhe u pasuruan për vete, që u ngritën mbi anëtarësinë, aktivistët e ndershëm të saj, që u ngritën në kurriz të qytetarit të Kosovës duhet të u tregohet ‘vendi’ përmes reformës dhe ‘Vetingut’ në parti.
Partia Demokratike e Kosovës në shumicë përbëhet nga njerëz të ndershëm, kombëtar, intelektual dhe punëtorë, prandaj duhet të lirohet nga zhvatësit dhe të korruptuarit, duke i prirë procesit të dekriminalizimit të skenës politike në Kosovë. PDK përmes procesit zgjedhor duhet të bëjë reformë substanciale, duke vepruar e para me ‘Veting’ në politikë brenda partisë, ku nuk do të lejonte që të kandidohen për asnjë pozitë në PDK personat që janë me aktakuza ose që janë duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.
Moslejimi i kandidimit të zhvatësve të partisë dhe pushtetit, të atyre qe janë në procese hetimore dhe gjyqësore, do të kthente besimin e qytetarëve në PDK-në e drejtuar nga Kadri Veseli i cili do të vlerësohej si lideri më reformator i Kosovës. Reforma e PDK-së përmes procesit të brendshëm zgjedhor do tē jetë reformë për Kosovën. Kjo do të i’a hapte rrugën Kadri Veselit për të marrë pozitën e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nëse aplikohet ‘Vetingu’ politik, DEKADA E RE do të shikohej si projekti më i rëndësishëm i yni në interes të Kosovës, ku PDK do të reformohet duke u liruar nga oligarkët që janë krijuar duke zhvatur partinë dhe pushtetin. Në PDK-në e DEKADËS SË RE nuk do të ketë njerëz nën hetime e procese gjyqësore, nuk do të ketë vend për zhvatësit dhe të korruptuarit, që PDK-në e konsiderojnë biznes për vete dhe familjet e tyre.
DEKADA E RE duhet të jetë e qytetarëve të ndershëm dhe punëtorë, për zhvillim ekonomik, arsim dhe shëndetësi më të mirë, për sundim të ligjit dhe ‘Veting’ politik. PDK duhet të prijë e para me ‘Veting’ në politikë, pastaj në zgjedhjet e brendshme duhet të reformohet për të dëshmuar se DEKADA E RE do të udhëhiqet nga njerëz të ndershëm, me besim, integritet, me vizion për shtetin, dhe jo nga ata qe gjatë këtyre viteve e shfrytëzuan partinë dhe shtetin për t’u pasuruar për vete.
PDK në këto zgjedhje nëse arrin të bëjë reformë substanciale duke u liruar nga zhvatësit dhe të korruptuarit, do te krijonte hapësirë për kuadrot e saj me vlera brenda partisë dhe do të u jepej mundësia që të na bashkohen kuadro te reja, njerëz të rinjë me vlera kombëtare dhe intelektuale. Përndryshe, DEKADA E RE me zhvatësit dhe të korruptuarit e vjetër nuk ka kurrfarë kuptimi, është e paraprirë të dështojë. PDK iu ka prirë të gjitha proceseve shtetndërtuese dhe demokratike deri më sot, prandaj duhet t’i prijë edhe këtij procesi për pastrimin e skenës politike me reformë substanciale përmes ‘Vetingut’.
Atehere kur ju, z. Kryetar i PDK-së Kadri Veseli , erdhet në krye të partisë ishit shpresa jo vetëm e antarësisë së saj, por edhe shumë qytetarëve të ndershëm e punëtorë të Kosovës, të cilët presin reformë në PDK, jo riciklimin e zhvatësve, abuzuesve dhe figurave të kompromentuara të partisë.
Andaj, PDK është në momentin vendimtar të reformes apo riciklimit të atyre që PDK-në e kanë biznes familjar.

Me respekt dhe sinqeritet të lartë,
(Msc. Ilir Ejupi, Asambleist i PDK-së në Skënderaj).

Exit mobile version