Kryeministri Albin Kurti, pasi në Twitter tha se ka pranuar në parim planin franko-gjerman, ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të enjten për të folur gjerë e gjatë se cilit plan i ka thënë po.
Pas pranimit publikisht të planit europian nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presioni i ndërkombëtarëve u zhvendos në Prishtinë te Zyra e Kurtit, i cili pas deklarimit fillestar se e konsideron planin si bazë të mirë për diskutime, hezitoi të thoshte se e pranon, derisa vazhdonte të kundërshtonte hapur themelimin e Asociacionit.
Për këtë të fundit, në fillim Kurti prezantoi gjashtë kushte vetëm përmes të cilave do të pranonte themelimin e tij, ndërsa më pas në një drekë pune me emisarin europian, Miroslav Lajçak, Kurti lajmëroi se i ka thënë po planit të BE-së, i njohur si franko-gjerman.
Sidoqoftë, ai pati shumë kritika për mostransparencë se kujt saktësisht i ka thënë po dhe se çfarë marrëveshje po pranon Kosova. Këtyre pyetjeve, Kurti tentoi t’iu japë përgjigje në seancën e djeshme të Kuvendit kur po përplasej me opozitën.
Sipas tij, plani i BE-së nuk nënkupton absolutisht se Kosova dhe Serbia po e përmbyllin marrëveshjen e stërnegociuar në Bruksel. Ai tha se kjo nuk është marrëveshje finale, sepse të tillën s’do ta pranonte asnjëherë nëse në qendër të saj s’e ka njohjen reciproke.
“Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë – ajo nuk është finale”, tha Kurti në fillim të argumentimit të tij se pse plani franko-gjerman është në favor të Kosovës.
Ai bëri me dije se ka shumë terme që duhet të sqarohen në hollësi dhe se për këtë duhet punë.
“Në kuadër të preambulës është edhe trashëgimia e të së kaluarës, mirëpo duhet ta kuptoni; nuk janë as vetëm dy faqe tamam. Është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurtë. Kur thuhet p.sh në anglisht ‘legacy of the past’ – trashëgimia e së kaluarës, do shumë punë për të definuar se si do të adresohet ajo. Prandaj, ne në këtë kuptim përnjëmend jemi në fillim të fillimit. Në preambulë, po ashtu, ka referencë për ‘national minorities’ – pakicat kombëtare. Mirëpo, çfarë do të bëhet me këtë togfjalësh sërish varet nga zhvillimet politike dhe nga procesi i mëtutjeshëm negociator”.
Kurti tha se përgjigjja pozitive që ia ka dhënë Lajçakut gjatë drekës në Prishtinë në thelb është e njëjta me përgjigjen fillestare që e kishte dhënë për planin.
“Ajo çfarë kam thënë unë nga shtatori lidhur me këtë propozim është se ky propozim paraqet bazë të mirë për diskutim të mëtutjeshëm dhe njëkohësisht platformë solide për të ecur përpara. S’e kam refuzuar propozimin, mirëpo kam thënë që diskutimet e mëtutjeshme mbi këtë bazë mund të bëhen”.
Kurti përsëriti atë që kishte thënë për Asociacionin pas deklaratave të diplomatëve europianë e amerikanë se ai duhet të themelohet me doemos.
“Nuk mund ta përzgjedhësh një marrëveshje nga 33 dhe as ta vendosësh njërën para tjetrës”.
Kryeministri Kurti paralajmëroi se “këtu po zhvillohet një betejë e madhe politike dhe diplomatike”.
Ai tha se insistimi i palës serbe që neni ku përfshihet edhe Asociacioni të kthehet në qendër apo të bëhet preambulë s’do të pranohet nga Kosova.
“Dhe beteja tjetër është që në kuadër të propozimit të BE-së, ai neni i 10-të, i cili i referohet marrëveshjeve të mëhershme me një lloj sforcimi e insistimi të nxirret gati në preambulë. Kjo është e papranueshme për neve. Në propozimin europian është fjalia e fundit në nenin 10-të. Neni 10 nuk është as neni 8, as neni 2, as preambula. Por, Beogradi po e bën betejën më të madhe, që nenin 10, përkatësisht fjalinë e fundit të tij ta nxjerrë në preambulë në mënyrë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe i nënshkruar para 10 vjetëve të jetë parakusht ose në qendër. Por, për ne ai as s’është parakusht, as në qendër dhe për këtë propozimi europian është shumë në favorin tonë meqenëse Asociacionin s’e ka as parakusht dhe as në qendër”.
Krejt në fund, Kurti iu drejtua edhe atyre që po e akuzojnë për mostransparencë.
“Besoni, mezi s’presin të në akuzojnë se ne i nxorëm hollësitë. Procesi i dialogut duhet të jetë transparent, por njëkohësisht konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty”.