Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka shprehur pakënaqësitë e saj lidhur me mungesën e mbështetjes për artistët nga shteti, gjatë një intervistë në emisionin “Gjesi”.
Ajo theksoi se në veçanti shteti duhet të krijojë rregullore për mbështetje financiare ndaj artistëve, veçanërisht atyre që janë në moshë të shtyer, pasi me kalimin e kohës, ata mund të humbasin relevancën në skenën muzikore.
“Artistat duhet të çmohen, të vlerësohen për atë që po sjellin të re, për muzikën e re, sepse kjo na identifikon si popull, ato janë gjëra që mbesin në arkiva. Unë për atë mendoj, këtë kam qejf që artistët të çmohen, sepse secili artist që e arrin një moshë të caktuar, ai s’mund të jetë më kontribues në arena, në koncerte, sepse varet se si i vjen puna”, ka thënë Arta Bajrami, duke shtuar se shteti duhet të mbështesë më shumë artistët dhe të krijojë mundësi financiare për ta.
Ajo ka theksuar se ka shumë artistë të moshës së shtyrë që nuk janë mbështetur nga shteti dhe kjo është një situatë që e shqetëson. “Mua më vjen gjynah sepse ata nuk kanë të ardhura nga muzika, ata gjithë jetën ia kanë kushtuar muzikës, dhe në fund shteti nuk i mbështet. Shteti mund të bëjë diçka për ta”, u shpreh Bajrami.
Arta Bajrami ka apeluar për vlerësim dhe mbështetje të artistëve që kanë kontribuar gjatë karrierës së tyre, veçanërisht për ata që janë më të moshuar dhe që shpesh herë përballen me vështirësi financiare, ndonëse kanë ofruar shumë për muzikën dhe kulturën shqiptare.