Site icon PrishtinaPress

Arsyetimi i Themelores për lirimin e ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve nga akuza për korrupsion

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 prill 2023, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, lidhur me akuzën për korrupsion.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktgjykimin në fjalë në arsyetimin e të cilit fillimisht është sqaruar historiku procedural i rastit.

Ndërkaq, në arsyetimin e gjykatës thuhet se, gjykata e ka bazuar aktgjykimin e saj në provat e procedura në shqyrtimin gjyqësor dhe me ndërgjegje vlerësoi çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat e tjera dhe në bazë të vlerësimit të saj ka arritur tek përfundimi se në këtë çështje penale nuk janë provuar faktet konkret të cilat përbejnë element kryesor të figurës së veprës penale e cila i është vënë në barrë të pandehurve.

Në këtë aktgjykim thuhet se të pandehurit janë akuzuar nga Prokuroria se elementi subjektiv i secilit të pandehur apo dashja e tyre veç e veç ka qenë që të i mundësojnë përfitim material kompanive “Majorelle PR&Events” dhe “Madison Global Strategies LLC”.

“Shtrohet pyetja logjike, si është e mundur që dashja e secilit të pandehur është përputhur: Pra që të gjithë kanë pasur për qëllim që t’i mundësojnë të njëjtave kompani përfitim të kundërligjshëm e në anën tjetër nuk kanë bashkëpunuar”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Më tej, thuhet se elementi subjektiv në kryerjen e veprave penale është “mens rea” ose qëllimi kriminal dhe nëse një person nuk kishte qëllim që të kryej një vepër kriminale, atëherë nuk është fajtor për veprimin e tij, ngase kjo vepër kryhet vetëm me dashje direkte e që për këtë Gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar qëllimi kriminal i të pandehurve për të kryer veprën penale.

Kjo pasi që sipas gjykatës nuk është e mundur dhe nuk është provuar që të gjithë të kenë pasur të njëjtin qëllim për t’i dhënë përfitim pasuror të kundërligjshëm kompanive në fjalë, e në anën tjetër të mos kenë bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale.

Tutje, në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se është vërtetuar se në rastin konkret nuk ka pasur bashkëpunim sepse nuk ka asnjë provë për këtë, por ka pasur kryerje të detyrave zyrtare nga ana e të pandehurve në kuadër të autorizimeve pa i kaluar kompetencat e tyre.

“Këtë e vërtetojnë edhe veprimet e të akuzuarit Demush Shasha, i cili i është drejtuar komisionit Rregullativ të Prokuromit publik (KRPP), e cila kishte dhënë opinion, si dhe ishte drejtuar Agjencisë kundër Korrupsionit. Pra, që të gjithë të pandehurit si ish-ministrja Hoxha ashtu edhe Fitim Mustafa, Demush Shaha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, janë akuzuar vetëm se kanë marrë një veprim në kuadër të kompetencave të tyre në pozicionin që kishin në MIE, veprime këto që në fakt ishin përshkrim i detyrave të punës dhe në anën tjetër me asnjë provë nuk është vërtetuar se kur këta zyrtar kanë hyrë në zonën penale”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Po ashtu, në këtë vendim thuhet se nuk ka prova se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar janë ndikuar nga presioni i personit tjetër, duke u kërcënuar ose duke u premtuar ndonjë përfitim nëse vepron në përputhje me dëshirat e tyre, po ashtu në veprimet e të të pandehurve nuk manifestohet mungesa e integritetit.

Tutje, thuhet se personi zyrtar mund të keqpërdor detyrën zyrtare për të mundësuar përfitim të kundërligjshëm për personin tjetër për shkak të disa faktorëve por që sipas gjykatës nuk është vërtetuar asnjëra nga ato rrethana, nuk ka asnjë provë e madje nuk ka as edhe më të voglën indicie.

Sipas këtij aktgjykimi, ne veprimet e të akuzuarës Dhurata Hoxha nuk është vërtetuar tejkalimi i kompetencave pasi që në bazë të përshkrimit të detyrave të punës si ish-ministre ishte përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e politikave qeveritare në fushën e saj të përgjegjësisë.

Gjykata ka konsideruar se ky lloj prokurimi për ofrimin e shërbimeve të konsulencës është i veçantë, (pra nuk është aktivitet prokurimi për furnizim me sende ato që njihen në të drejtën civile), dhe është bërë për arsye të veçanta dhe bazuar në legjislacionin në fuqi dhe ligje të tjera të aplikueshme nuk ka ndonjë autoritet që ka tagër për inicimin e një procedurë të tillë andaj në rastin konkret është paraqitur ministrja në natyrën e shërbimit që kërkohej.

“Pra, në këtë rast vlen parimi “Permittiur quo non prohibited” që do të thotë është e lejuar ajo e cila është e ndaluar”, thuhet ne arsyetim të vendimit.

Në vazhdim thuhet se konsulenca është sferë e veçantë edhe ky lloj prokurimi është i veçantë, tek kriteret teknike nuk vlejnë rregullat që vlejnë për mallra, pajisje apo makineri por vlejnë rregullat tjera ku thuhet se në kërkesën e Ministrisë për inicimin e procedurës së prokurimit janë specifikuar këto arsye që në këtë rast duke u bazuar edhe në specifikën e prokurimit, sipas gjykatës mund të quhen edhe teknike , ndonëse nuk kemi të bëjmë me mallra, e të cilat kritere në instancë të fundit ishin politike.

Po ashtu thuhet se Prokuroria ka bërë një hetim më shumë administrativ dhe ‘post festum’ ka bërë një analizë të dokumentacionit të lëndës së prokurimit që ishte objekt i kësaj akuze, duke i interpretuar LPP-në dhe ligjet tjera, duke u shërbyer edhe me ekspertizën e ekspertit, mirëpo thuhet se prova konkrete inkriminuese konvencionale për të drejtën penale me të cilat dëshmohet vepra penale, dëshmohet se të pandehurit kanë hyrë në zonën penale të veprimit, gjykata nuk ka gjetur.

Më tej thuhet se gjykata nuk ka trajtuar nëse janë arritur në masën 100% objektivat e parashikuara me kontratë sepse kjo i takon përgjegjësisë politike apo elektorale apo ndonjë përgjegjësi tjetër që nuk është në mandatin e gjykatës ta komentojë.

Nga arsyet e cekura më lartë, trupi gjykues nuk ka vërtetuar se në veprimet e të pandehurve manifestohen elementet e veprës penale me të cilën janë akuzuar.

Ndryshe, në seancën e 7 prillit 2023, të akuzuarit Hoxha, Shasha, Cukaj, Mustafa dhe Osmani, ishin mbrojtur në heshtje nga akuzat për korrupsion.

Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.

Exit mobile version