Site icon PrishtinaPress

Arsyetimi i Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të dyshuarve lidhur me rezervat shtetërore

Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Garan, të dyshuarit lidhur me keqpërdorimin e rezervave shtetërore janë liruar nga masa e paraburgimit. Të njëjtit gjendeshin në paraburgim që nga 19 gushti i këtij viti kurse me vendimin e fundit të apelit të njëjtit janë liruar nga kjo masë.

Kundër vendimit për caktimin e paraburgimit të cilin e kishte marrë gjyqtarja e procedurës Paraprake, Suzana Çerkini, ankesë në shkallën e dytë kishin paraqitur mbrojtësit e të dyshuarve duke i’u aprovuar si të bazuara ankesat nga Gjykata e Apelit.

Apeli ka konstatuar se Gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të vërtetoj dyshimin se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilën dyshoheshin, për të cilën është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit.

“Pretendimet e mësipërme ankimore janë të bazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar Gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të vërtetoj dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, e për të cilat është kusht primar për ligishmërinë e paraburgimit”- thuhet në vendimin e Apelit

Apeli tutje ka konstatuar se në arsyetimin e Themelores për caktimin e paraburgimit nuk ka pasur mbështetje të artikulueshme mes provave të paraqitura dhe veprimeve të të pandehurve. Sipas vendimit të Apelit në vendimin për caktimin e paraburgimit, më shumë ka pasur shpjegim kronologji të rastit sesa vlerësim dhe arsyetim mbi faktet që janë paraqitur në kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, në caktimin e paraburgimit themelorja ka pranuar në tërësi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit duke mos u vlerësuar arsyeshmërinë e provave në drejtim të ekzistimit të dyshimit të bazuar.

Andaj sipas kolegjit të apelit në përbërje prej Afërdita Bytyçit- Kryetare e kolegjit, Kreshnik Radoniqi dhe Ferit Osmani – anëtarë, kanë vlerësuar se masa e paraburgimit nuk ka arritur nivelin e konsumimit të kushteve të paraburgimit.

Sipas kolegjit jo çdo kërkeseje për caktimin e paraburgimit duhet t`i jepet aprovim, jo pa i’u nënshtruar vlersueshmërisë së provave dhe vlerësimin e pretendimeve të paraqitura nga ana e të pandehurve dhe mbrojtësve.

Për fund Apeli ka ardhë në përfundim se nuk është arritur që të krijohet bindja objektive në vlerësimin e secilës provë të paraqitur në mënyrë që të krijohet kuptimësia e plotë se dyshimi i bazuar në të vërtetë ekziston.

Tre të dyshuarit lidhur me keqpërdorimet me rezervat shtetërore gjendeshin në masën e paraburgimit për 30 ditë që nga 19 gushti i këtij viti sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës.

Si u arsyetua vendimi nga Gjyqtarja Suzana Çerkini për caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit?

Paraprakisht për caktimin e masës së paraburgimit duhet të plotësohen tri kushte ligjore, 1. dyshimi i bazuar se personi i caktuar ka kryer vepër penale, 2. asgjësimi, fshehja apo ndryshimi i provave të veprave penale dhe 3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet në të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ose ta përfundojë veprën penale.

Sa i përket pikës së parë nga provat që ishin paraqitur nga ana e prokurorisë speciale, në seancën dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” duke i tejkaluar autorizimet e tyre ligjore.

Ashtu që në pozitat menaxheriale që të dyshuarit i mbanin, kanë lejuar që në kundërshtim me legjislacionin për rezervat shtetërore, të anashkalohen procedurat e hapura të prokurimit publik për blerjen e rezeraveve shtetërore për vitin 2022.

Kurse i dyshuari Ridvan Muharremi në cilësinë e personave jo zyrtar ju ka ndihmuar në kryerjen e këtij veprimi duke ju krijuar kushte, propozuar dhe negociuar kushtet për kontratën për furnizim me rezerva.

Sa i përket kushtit të dytë për caktimin e paraburgimit edhe këtu gjykata ka vlerësuar se janë pjekur kushtet ligjore për caktimin e masës së tillë.

Pasi Irfan Lipovicën e Hafiz Garën duke qenë se janë zyrtarë të lartë në MINT dhe mbajnë pozita menaxheriale po të lihen në liri do mund të ndërmarrin veprime konkrete për ndryshimin dhe fshehjen e provave me qëllim të krijimit të një version të sajuar dhe të përshtatshëm për të pandehurit, përkatësisht të ndikojnë në dëshmitarët që janë dëgjuar në polici e ku kanë deklaruar se kanë qenë kundër procesit.

Kurse plotësimi i kushtit të dytë për caktimin e paraburgimit për Ridvan Muharremin vie si arsyetim se i njëjti meqenëse kishte rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave për rezerva shtetërore tregon qartë ndikimin e tij në MINT që nënkupton që i njëjti lehtësisht mund të ndikojë në dëshmitarë që punojnë në këtë institucion.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, po të lihen në liri të dyshuarit ekziston mundësia në ndikim te njëri tjetri, duke marrë për bazë që Lipovica e Gara janë kolegë pune me vite. Kurse Muharremi është bashkëpunëtorë i besuar i tyre deri në masën që të negociojnë kontratë për rezerva shtetërore.

Kurse sa i përket kushtit të tretë ligjor për peshën e veprës penale, gjykata ka vlerësuar se duke marrë për bazë shumën e dëmit që buxhetit të shtetit i është shkaktuar që sipas prokurorisë del të jetë në vlerë prej 601 mijë euro, është tregues mjaftë i qartë për të dëshmuar se rrezikshmëria shoqërore e veprave penale për të cilat dyshohen t`i kenë kryer tre të pandehurit është e natyrës së rëndë.

Rrethanë kjo e cila i karakterizon tre të pandehurit.

Gjykata nuk e mbështeti pretendimin e prokurorit të prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, se ka rrezik të arratisjes nga të pandehurit në rast se nuk caktohet masa e paraburgimit, pasi që nuk ka asnjë arsye për të besuar një pretendim të tillë, pasi personat e dyshuar janë shtetas të Republikës së Kosovës, kurse i pandehuri i tretë ka edhe biznes të tij, që të tre janë familjarë dhe asnjëherë nuk kanë treguar tentativë të vetme për t`u arratisur ndonëse kanë qenë në dijeni për veprimet hetimore të ndërmarra nga policia.

Çka thotë dosja e prokurorisë për Lipovicën: Me dijeni të plotë ka lejuar që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv/sekretar i Përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj sipas prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022. Me këtë vendim, sipas prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për negocim me OE “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e prokurimit publik, e më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për furnizim.

Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Në anën tjetër dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim për fumizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O.E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave. /Kallxo

Exit mobile version