Arsenali, që po synon të kurorëzohet me titullin e kampionit në Premierligë, do të ketë një test tejet të vështirë këtë të diel.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta do të luajë në udhëtim kundër Liverpoolit, në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit anglez.
Arsenali, që prin në tabelë me 72 pikë, me një fitore eventuale sot do të rikthente në tetë diferencën e pikëve me Manchester Cityn, që janë në pozitën e dytë me 67 pikë.
“Topçinjtë” udhëtojnë drejt “Anfield” me një formë fantastike, pasi kanë regjistruar shtatë fitore në shtatë ndeshjet e fundit në Premierligë.
Në anën tjetër, Liverpooli nuk po kalon aspak formë të mirë këtë sezon. Skuadra e Jurgen Klopp nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit, duke regjistruar dy humbje e një barazim.
“Të Kuqtë” kanë grumbulluar 43 pikë prej 28 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, teksa renditen në pozitën e tetë.
Kujtojmë se përballja e parë e këtij sezon mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në “Emirates Stadium”, ishte fituar 3:2 nga Arsenali.
Ndryshe, ndeshja e sotme do të luhet nga ora 17:30, në “Anfield”./PrishtinaPress/