Arsenali po vazhdon me seri pozitive pasi ka fituar 2-0 në shtëpi ndaj Watfordit në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë të Ligën Premier.
Skuadra e Unai Emeryt ka hyrë në një formë të mira pasi me këtë fitore ndaj Watfordit tashmë ka pesë fitore radhazi.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte për një nuancë më e mirë për Arsenalin, të cilët patën edhe rastin më të mirë në këta 45 minuta.
Ishte minuta e 15-të kur sulmuesi Alexandre Lacazette doli i vetëm përball portierit, por goditja e tij ishte e pasaktë.
Në pjesën e dytë, Topçinjtë qarkullonin më shumë topin dhe shënuan edhe dy gola, por edhe mysafirët patën raste të mira.
Watfordi rrezikoi me anë të Troy Deeney (52′) dhe Isaac Success (75′), por asnjëri nuk arriti të tund rrjetën.
Pas kësaj Arsenali u kthye në lojë duke kaluar në epërsi në minutën e 81-të me autogolin e Craig Cathcart, ndërsa Mesut Ozil (84′) shënoi për 2-0 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Arsenali ka 15 pikë në vendin e pestë, ndërsa Watfordi renditet i gjashti me 13 pikë.
Në ndeshjen e radhës, klubi nga Emirates udhëton te Fulhami, teksa londinezët tjerë luajnë në shtëpi ndaj Bournemouthit.