-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Arrestohet “tmerri” i bankave të vogla, publikohen pamjet

Nga “Finca” në Prizren doli “duarthatë”, por të enjtën në Prishtinë në një institucion tjetër mikrofinanciar, hajduti me inicialet D.G që u arrestua nga policia e Kosovës kishte arritur t’i grabisë 2280 euro. Dhe ky nuk ishte “suksesi” i tij i parë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Paparaci ka publikuar pamje të kamerave të sigurisë të grabitjes që ka ndodhur të enjtën në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë ku D.G, nën kërcënimin e armës ka arritur t’i grabisë saktësisht 2280 euro.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes, kur policia e Kosovës pranoi informacion për një grabitje të armatosur në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë. Policia doli menjëherë në vendin e ngjarjes dhe sipas informacioneve të para, hajduti kishte arritur t’i grabisë një shumë të konsiderueshme parash, shkruan Paparaci.com.

Paparaci.com ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë të këtij institucioni derisa shihet momenti kritik kur i njëjti futet në institucionin mikrofinanciar dhe nën kërcënimin e armës, urdhëron punëtoren e këtij institucioni “ta zbrasë arkën”.

Paparaci.com gjithashtu ka arritur të sigurojë pamjet kur i njëjti person kishte tentuar të grabisë edhe një institucion tjetër financiar në qytetin e Prizrenit, por që nuk ia kishte dalë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Paparaci.com që përshkruhen edhe në komunikatën e Prokurorisë së Prizrenit, grabitja në këtë institucion financiar kishte mbetur në tentativë pasi hajduti ishte përballur me rezistencën e sigurimit të institucionit.

Megjithatë, i arrestuari me inicialet D.G kishte arritur që në janar të këtij viti të grabiste një institucion mikrofinanciar në qytetin e Prizrenit duke ia dalë të përvetësojë jashtëligjshëm hiç më pak se 11,700 euro.

Sipas informacioneve të Paparaci.com, i arrestuari pas sigurimit të provave të pakundërshtueshme nga institucionet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, i ka pranuar të tri veprat për të cilat rëndohet.

Sipas komunikatës së Prokurorisë së Prizrenit, i pandehuri më datë 03.05.2023, rreth orës 16:04 në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e një filiali mikrofinanciar, me përdorim të forcës dhe kanosjes kishte tentuar të përvetësojë jashtëligjshëm mjete financiare, por është penguar nga zyrtari për sigurimin e objektit.

D.G ishte konfrontuar fizikisht me S.TH duke i shkaktuar lëndime trupore këtij të fundit, dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Çfarë i dërgoi organet e rendit te i pandehuri dyshohet të jenë çelësat që i ranë nga xhepi gjatë arratisjes, ku gjithashtu ishte edhe çelësi i veturës së tij.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri D.G., me datë 03.05.2023 rreth orës 16:04 minuta, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e njërit nga filialat mikrofinanciare, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, tenton ta përvetësoj pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës, me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime trupore, i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe gjatë ikjes të njëjtit në vendin e ngjarjes i bien çelësat që kishte me vete, në mesin e të cilëve edhe çelësi i veturës.”, thotë Prokuroria.

I dyshuari D.G ishte person i rrezikshëm edhe për organet e sigurisë. Për të njëjtin, sipas dosjes hetimore thuhet se ka pasur në posedim një pistoletë të llojit “BLOW C75”, Cal. 9 mm P.A.K., por megjithatë i njëjti është arrestuar nga organet e rendit.

Ndaj “tmerrit” të institucioneve mikrofinanciare është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tij pritet të ndërmerren hapat e nevojshme sipas ligjit.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img