Site icon PrishtinaPress

Arrestohet polici që dyshohet se shkaktoi aksidentin me vdekje në Fushë Kosovë

Mbrëmë në Fushë Kosovë katër automjete janë përfshirë në një aksident trafiku, me ç’rast pesë persona u lënduan dhe më pas njëri nga vozitësit e automjetit vdiq. Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se shkaktar i aksidentit ishte një zyrtar policor i cili është arrestuar sot në orët e mbrëmjes nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “rrezikim i trafikut publik”.

Sipas IPK, zyrtari policor ishte me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare.

Atij me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e  ndalimit për 48 orë.

Njoftimi i plotë i IPK-së:

IPK është informuar nga Policia e Kosovës për një aksident me lëndime të rënda trupore në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë ku në aksident është i përfshirë një zyrtar policor me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare.

Aksidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00 të datës së djeshme ku janë përfshirë katër automjete.

Pas pranimit të kësaj informate, IPK menjëherë i është përgjigjur rastit përderisa 5 personat e  lënduar në këtë aksident janë dërguar për tretman mjekësor.

Si pasojë e lëndimeve trupore një vozitës i njërit nga automjetet e përfshira në këtë aksident raportohet fatkeqësisht se ka humbur jetën sot.

Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se shkaktar i aksidentit është zyrtari policor i cili është arrestuar sot në orët e mbrëmjes me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

Të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e  ndalimit për 48 orë.

Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

Exit mobile version