Një person është arrestuar në Zveçan, pasi dyshohet se në një shtëpi vodhi kabllo elektrike, tri kutia elektrike të metalta, dy bojlerë, dy televizorë dhe gjësende të tjera.
Sipas policisë, i dyshuari H.B., është arrestuar sot, teksa gjatë intervistimit e ka pranuar se e ka kryer veprën penale.
“Arrestimi është kryer mbi bazë të dyshimeve të arsyeshme dhe provave të siguruara që e lidhin të dyshuarin me rastin e raportuar, e i cili gjatë intervistimit e ka pranuar se e ka kryer veprën penale duke deklaruar se gjësendet i ka marrë si kompensim i një borxhi në vlerë prej 600 € që ia kishte ankuesi”.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, policia tha se mbetet e përkushtuar që të ofrojë shërbime ndaj qytetarëve në të gjithë territorin e vendit, pa dallim.