Site icon PrishtinaPress

Arrestohet menaxheri që vodhi të dhënat bankare të klientëve, bleu kriptovaluta

Policia e Kosovë, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, saktësisht ato të krimeve kibernetike ka arrestuar sot një person të dyshimtë.

I njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulese ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”.

“Personi i dyshuar tani më i arrestuar dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, kishte vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si menaxher, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i kishte përdorur duke bërë blerje të kriptovalutave në një platformë online të kriptovalutave.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjithashtu është theksuar se i dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkëtares për të bërë pagesë, në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga ajo dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij ka fotografuar ato, në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme.

“Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.”

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

Exit mobile version