Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë (7) lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy (2) persona të dyshuar.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G.,- doganier dhe S.I., – kryetar i bordit të “Ski Center Brezovica”, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)-së.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.