Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Fushë Kosovë pasi të njëjtit dyshohet se janë zënë duke shkëmbyer narkotikë në bodrumin e një ndërtese.
Policia njofton se arrestimi është bërë në rrugën ‘Xhemail Mustafa’ në Fushë Kosovë, në ora 12:45, kur hetuesit policorë nga Njësia e Gjakovës e DHTN-së e mbështetur edhe nga Njësia e Prishtinës e DHTN-së, kanë ndërhyrë në bodrumin e një ndërtese duke zënë në flagrancë tre të dyshuarit duke bërë shkëmbimin e narkotikëve.
Nga policia janë arrestuar tre të dyshuarit: E.K., viti i lindjes 1963, mashkull, shtetas i Shqipërisë, D.E., viti i lindjes 1998, mashkull kosovar dhe F.Sh., viti i lindjes 1982, mashkull kosovar.
Policia bën të ditur se gjatë kontrollit në cilësi të provës materiale janë gjetur dhe konfiskuar: Njëzet e dy (22) paketime/qese najloni që dyshohet të jetë mariuhanë me peshë rreth 4537 gram (4 kg e 537 gram) Një veturë, para (2365 euro) dhe tre telefona.
Në njoftimin e Policisë thuhet se në lidhje me këto veprime është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, ndalohen në ndalim policor për 48 orë.