Site icon PrishtinaPress

Arrestohen në Prizren sulmuesit e kryetarit të Federatës së Peshkatarëve

Prokuroria Themelore në Prizren ka arrestuar edhe tre persona për rastin e sulmit të kryetarit të Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Milaim Vita.

Të arrestuarit janë A.S., S.P., dhe I.S, ka bërë të ditur Prokuroria e Prizrenit, raporton Paparaci.

Vita dhe shoqëruesit e tij, dy anëtarë të tjerë federatës, u sulmuan fizikisht të shtunën në Liqenin e Vërmicës derisa po bënin inspektimin e liqenit “Drini i Bardhë”.

“Derisa të dëmtuarit M.V., L.M., N.Rr., po bënin inspektimin në liqenin “Drini i Bardhë” lidhur me peshkimin ilegal, pasi që janë fjalosur të dyshuarit L.S., A.S., A.S., S.P., dhe I.S., me të dëmtuarit, dhe më pas i kanë sulmuar duke i goditur në pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e të cilave të dëmtuarit kanë kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren, të konstatuara nga Raportet mjekësore”, tha Prokuroria.

Me këto veprime, të lartëcekurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Për të njëjtit, prokuroria brenda afatit ligjor ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

Exit mobile version