3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Arrestohen dy veta të sigurimit, nuk lejuan një polic civil që të hyjë në lokal pa rezervim

Një zyrtar policor shkoi si civil në një lokal në rrugën “B”, në Prishtinë, të mërkurën mbrëma, por nuk u lejua nga rojet që të futej brenda pa rezervim. Ky ndalim e acaroi policin, i cili më pas tentoi që të futej me forcë brenda lokalit dhe në konfrontim e sipër me sigurimin nxori armën e zjarrit me të cilën dyshohet se i kërcënoi ata dhe myshteritë e lokalit.

Pronari i lokalit ka thënë se zyrtari policor i veshur si civil u neutralizu nga dy policë të tjerë po ashtu civilë që rastësisht u gjenden në vendin e ngjarjes.

Polici që dyshohet se kërcënoi me armë zjarri sigurimin e lokalit, nuk ishte prezantuar si zyrtar policor as kur kishte dashur të futej në lokal, e as kur ishte shtrirë përtokë nga kolegët e tij.

Madje, polici në fjalë e ka fshehur faktin që është zyrtar policor edhe nga patrulla policore që kishte ardhur për ta arrestuar në vendin e ngjarjes, shkruan Gazeta Sinjali.

“E kemi një kafe në rrugën ‘B’, punojmë  veç me rezervime, edhe u ardhë dje një polic, nuk u lajmëru si polic, veç u ardhë në derë, ‘po du me hy mrena’. Sigurimat e kanë pyet a ki rezervim, ka thanë jo, e kanë kthy. Ka nejtë ja 10 minuta para derës, mas 10 minutave ka hy dhe ia ka nisë me debatu me sigurima. Sigurimat e kanë largu prej dere dhe e kanë shty poshtë. Duke u shty me sigurima, ai e ka nxjerrë alltinë, i është drejtuar sigurimave, ka pasë konflikt fizik dhe në asnjë moment nuk ka tregu që është polic civil.”

Kanë qëllu rastësisht dy policë civilë në rrugën B, e kanë arrestu, e kanë mbajë shtritë, derisa ka ardhë patrolla me e arrestu. As atyne nuk iu ka kallëzu që është polic civil. Janë ja tre policë dëshimtarë të kësaj që po e them unë”, tha pronari i lokalit për Sinjalin.  

Ndonëse zyrtari policor nuk ishte prezantuar si i tillë, dy rojet e lokalit u arrestuan nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe me vendim të prokurorit atyre iu caktua masa e ndalimit për 48 orë.

Tash, sigurimat janë në mbajtje, ky është i lirë si kurgjo, edhe vepra i është hapë sigurimave si ‘Sulm ndaj personi zyrar’. Në asnjë moment ai nuk ka thanë që është polic dhe në momentin që e ka nxjerrë armën sigurimat kanë mendu që është ndonjë djalë problem, që shpesh na ndodhë me pasë”, sqaroi pronari i lokalit.

Lidhur me këtë rast nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë thënë se kanë rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor në fjalë dhe ndaj tij është hapur rasti “Kanosje”.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës me 24.11.2021 rreth orës 20:00 është njoftuar nga Policia e Kosovës, lidhur me raportimin e një incidenti në rrugën ‘B’ Prishtinë, në të cilin incident dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor.”

Hetueset e IPK-së me të pranuar njoftimin kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit kujdestar, ku zyrtari policor është intervistuar me dyshimin se ka kryer e veprën penale ‘Kanosje’. Rasti aktualisht është duke u trajtuar në procedurë të rregullt kurse si pjesë e procedurës administrative hetimore ndaj të dyshuarit është rekomanduar suspendimi i përkohshëm”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Sinjalit për këtë rast, mirëpo në raportin 24-orësh shihet se rasti në fjalë tani është ricilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.

“LËNDIM I LEHTË TRUPOR · Rr. B, Prishtinë, 24.11.2021 – 19:25. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.           

Pronari i lokalit tha se sigurimet e lokalit të tij janë liruar mbrëmë rreth orës 20:00, mirëpo ai e sheh si të paarsyeshme dërgimin e tyre në mbajtje, derisa thotë se ata kanë qenë viktima të sulmit në vendin e punës dhe se polici civil nuk ishte prezantuar si zyrtar policor.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img