Në Graçanicë, një numër i madh i qytetarëve serbë janë mbledhur para stacionit policor në shenjë proteste për arrestimin e sotëm të D.M.
D.M. është arrestuar si i dyshuar për krime lufte, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas raportimeve të Kosovaonline, vendasit kanë arritur të bllokojnë rrugën edhe pse policia i ka penguar ta bëjnë këtë.
Në njoftimin e Policisë e Kosovës thuhet se personi në fjalë dyshohet për krime të kryerra gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999).
“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, thuhet në njoftim.