-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Arrestimi në Gazimestan lëkund raportet Kosovë – Mali i Zi

Arrestimi i shtetasit malazias, Risto Jovanoviq, katër ditë më parë në Kosovë, mund të shkaktojë thellim të krizës së brendshme politike në Mal të Zi, që veçse është komplekse, por gjithashtu mund të acarojë marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Malit të Zi, thanë për Radion Evropa e Lirë analistët Zllatko Vujoviq dhe Agron Maliqi.

Policia e Kosovës e arrestoi Jovanoviqin më 28 qershor në Gazimestan, gjatë shënimit të Vidovdanit, pasi, siç tha policia, ai kishte brohoritur thirrje nacionaliste dhe kishte përdorur gjuhë që nxit urrejtje. Para gjykatës në Prishtinë, ai i mohoi këto pretendime të prokurorisë. Megjithatë, gjykata i shqiptoi 30 ditë paraburgim.

Për shkak të arrestimit të Risto Jovanoviqit në Kosovë, në Mal të Zi, më 30 qershor, për të tretën herë protestuan dhjetëra qytetarë, pranë ndërtesës së Qeverisë malazeze, ku njoftuan se do të radikalizojnë protestën “nëse Qeveria nuk bëhet më aktive sa i përket këtij rasti dhe nëse Jovanoviq nuk lirohet”.

“Qëllimi i këtyre protestave nuk është që të ndihmohet Jovanoviqi, por të dëmtohet politikisht kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe Qeveria, si dhe të forcohen pozicionet e Frontit Demokratik, përpara se të zhvillohen bisedimet për riorganizimin e Qeverisë. Një qytetar malazias që u arrestua në Kosovë, e ka mbrojtjen e duhur ligjore për procesin që po zhvillohet atje. Ky rast po manipulohet, në mënyrë që të dëmtohet kryeministri”, tha për Radion Evropa e Lirë analisti malazias, Zllatko Vujoviq.

Me Qeverinë e udhëhequr nga Krivokapiq janë të pakënaqur nga Fronti Demokratik pro-serb, i cili me Demokratët dhe Lëvizjen qytetare Ura, formuan Qeverinë e Malit të Zi, vitin e kaluar.

Por, në fund të majit, Fronti Demokratik, që është partia më e madhe e koalicionit qeverisës, tha se Qeveria e Krivokapiqit nuk i besonte më kësaj partie.

Pas arrestimit të Jovanoviqit, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi njoftoi më 28 qershor se Ambasada e Malit të Zi në Kosovë kishte kontaktuar me autoritetet në Kosovë dhe tha se do të merrte masa për ta mbrojtur shtetasin e saj.

Më 29 qershor, kryeministri Zdravko Krivokapiq njoftoi se diplomacia malazeze ishte përfshirë në rastin e Jovanoviqit. Ai tha se autoriteteve në Prishtinë iu kërkua që të njoftonin pse u arrestua shtetasi malazias dhe nëse ai nuk është fajtor për veprat që dyshohet, të lirohet menjëherë.

Nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë njoftuan më 30 qershor se kryediplomati malazias, Gjorgje Radulloviq, do të diskutojë me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, për rastin e Jovanoviqit.

Më 30 qershor, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, e akuzoi kryeministrin Krivokapiq dhe ministrin e Jashtëm, Radulloviq, për “sjellje të turpshme” lidhur me rastin e Jovanoviqit.

Sipas kësaj partie, është e turpshme që Qeveria nuk e dënoi sjelljen e “banditëve që e rrëmbyen dhe e burgosën Risto Jovanoviqin”.

“Ata nuk guxojnë t’u flasin më partnerëve të tyre të rinj, me terroristë shqiptarë, të cilët, me qëllim që ta përkeqësojnë situatën, iu dhuruan vaksina dhe kush e di se sa herë ata e njohin shtetin e rremë të Kosovës”, tha Fronti Demokratik përmes një deklarate.

Një prej udhëheqësve të Frontit Demokratik, njëherësh deputet i Malit të Zi, Millan Knezheviq, tha më 30 qershor se partia e tij do të organizojë protesta.

“Qeveria është e paaftë dhe nuk ka forcë e as vullnet që t’i rezistojë shtypjes që po i bëhet Jovanoviqit. Unë pres një reagim institucional nga Krivokapiq dhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë, ne veçse kemi paralajmëruar mbajtjen e protestave para së ashtuquajturës Ambasadë të Kosovës”, tha ai.

Deputeti i Malit të Zi, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Frontit Demokratik, Vlladimir Dobriçanin, kërkoi që Qeveria t’i japë Kosovës një “ultimatum prej 24 orësh”.

“Unë i bëj thirrje kryeministrit dhe Qeverisë që të ndërpresë çdo komunikim dhe ta mbyllin kufirin me Kosovën, nëse Jovanoviq nuk lirohet menjëherë, si dhe të dëbojë ambasadorin e atij shteti fals dhe t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me atë shtet terrorist”, u shpreh ai. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img