Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj është arrestuar ditën e sotme në Tiranë, me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës, me qëllim ekstradimi.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe avokati i Dritan Goxhajt, Bashkim Nikolla, i cili tha se Dritan Goxhaj dhe i ati i tij, Dilaver Goxhaj, kanë luftuar në shërbim të atdheut dhe janë dy luftëtarë për liri.
Ai tha se pas kësaj ngjarjeje fshihen ‘duart e zgjatura’ të Serbisë, që sipas tij, po kërkon të çojë ushtarakët e Kosovës në ‘gijotinën’ e quajtur Tribunali i Hagës.
“Jam njoftuar nga familjarët e tij pasi isha në një gjyq penal dhe kam lënë gjyqin nga fundi për të shkuar drejt te banesa, ku ishte Dritani vetë, familja e tij. Kërkova shpjegime paraprake dhe mu tha se do i merrja në drejtorinë vendore të Policisë së Tiranës dhe do të firmosja mbi dokumentacionin përkatës. Në vendimin e Gjykatës shënohet për efekt ekstradimi. Me këto informacione dhe personin që e njoh, luftën dhe punën në dobi të atdheut dhe të fjalës së lirë, pasi babë e bir janë 2 ushtarë të UÇK. Në këtë përfundim dal, unë konstatoj këtu duart e zgjatura të Serbisë, për t’i çuar një nga një ushtarët e UÇK në gijotinën speciale të quajtur tribunal. Ekstradimi nuk është procedurë që bëhet menjëherë. Njerëzit nuk janë gurë, kanë të drejta dhe detyrime. E vërteta sado që të zhytet, nuk mbytet. Dritani është një luftëtar që ka duruar edhe makinerinë e plumbave serbe. Këta e ngritën për Hashim Thaçin stekën aq lartë dhe tan ii kërkojnë një e nga një, për të shuajtur zërin e lirisë. Kjo është përtejë një procedure penale. Ka prapavijën që unë e thashë”, është shprehur Nikolla për News24.
Kujtojmë se Dritan Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë gjatë vitit 1999.
Ai i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.