Site icon PrishtinaPress

“Arrestimi i anëtarëve të PSD-së ishte joprofesional, por s’besoj që politika e ka urdhëruar”

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka komentuar aksionin e djeshëm të policëve ndaj anëtarëve të PSD-së dhe arrestimin e tyre.

Ai e cilësoi si joprofesionale mënyrën e arrestimit të tyre dhe përdorimin e forcës, megjithatë thotë se nuk beson që politika ka pasë dorë në këtë rast.

“Nuk është bërë një vlerësim i mirë i rrezikshmërisë për ardhjen e Trendafilovës. Jo pse vizita ka qenë aq e rëndësishme, por ka qenë e ndjeshme. Është dashur të bëhen përgatitje më të mira në aspektin operacional prej Policisë së Kosovë që të mos vijë deri te ato skena që i pamë”.

Qalaj në Klan Kosova ka thënë se policët që zhvilluan aksionin kanë qenë të rinj dhe s’kanë vepruar në bazë të asaj që u mësohet atyre gjatë trajnimeve.

“Siç e pashë ata kanë qenë policë të rinj dhe mendoj se ata kanë më shumë nevojë që të bëjnë trajnime për menaxhimin e turmave në situata të tilla. S’mund të them, s’guxoj të them, që politika e ka urdhëruar policinë që të sillet në atë mënyrë. Më shumë e konsideroj si mungesë të përvojës në menaxhim të policëve të rinj’.

“Përdorimi i forcës u bë në mënyrë joprofesionale edhe pse arrestimi bëhet në forma të ndryshme. Por, kur e përdor forcën duhet ta përdorë në mënyrë profesionale dhe t’i përdorë mjetet dhe teknikat e arrestimit siç i kanë mësuar dhe jo ato që i pamë dje”.

Qalaj që u shkarkua nga ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe që aktualisht është anëtar i PDK-së pranon se politika ka tentuar të përdorë Policinë e Kosovës, por thotë se gjatë mandatit të tij pati rezistencë. Megjithatë, të njëjtën s’e mendon për pasardhësin e tij.

“Ka pasë gjithmonë tendenca që Policia e Kosovës të përdoret nga politika, edhe në të kaluarën dhe besoj edhe tash, por mund të them se në të kaluarën i kemi rezistuar bukur fort partive të ndryshme politike, ndërsa sot s’po më duket situata e njëjtë. Po shihet që policia dhe drejtori i saj nuk është në gjendje që t’i bëjë ballë kërkesave të politikës”.

Exit mobile version