Site icon PrishtinaPress

Arrestimet për kurdisje – FBK del me një njoftim: Ne zotohemi për lojë të ndershme

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka reaguar të premten, menjëherë pas raportimin për arrestimin e tre personave të dyshuar për kurdisje të ndeshjeve.

FBK-ja ka thënë se po bashkëpunon ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media. Po ashtu, FBK-ka ka shtuar se ka mirëpritur vendimin e organeve të rendit dhe shpreson në zgjidhje të shpejt të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të gjitha personave të përfshirë në fenomenin e kurdisjes së ndeshjeve.

Federata ka thënë se në momentin e parë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për bashkëpunim me organet e rendit që nga viti i kaluar dhe ka marrë masat e duhura duke zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, duke qenë vazhdimisht në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA-ne.

“FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë.

Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona. Në frymë të kësaj, FBK është institucioni i parë sportiv në vend që ka të angazhuar edhe Personin për Integritet, me mandat për të luftuar këto dukuri dhe të gjitha aspektet negative në basketbollin tonë, si dhe ka zhvilluar disa kampanja kundër dukurive negative në basketboll.

Ne zotohemi për lojë të ndershme dhe do të luftojmë këto dukuri deri në fund!”, thuhet ndër të tjera në letrën e kreut të FBK-së, Arben Fetahu.

Exit mobile version