Kryetari i Mitrovicës, njëherazi edhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka demantuar deklaratën e Qëndrim Krasniqit, i cili ka thënë sot se i arrestuari i sotëm nga Policia, Irfan Lipovica, është dhëndërr i tij.
Hamza ka deklaruar se kjo është e pavërtetë dhe shpifje e ulët.
Madje, i pari i Mitrovicës ka shtuar se nëse Krasniqi nuk e tërheq deklaratën e bërë dhe nuk kërkon falje, do ta padisë.
“Për sqarim për opinionin, unë i kam dy vajza dhe nuk janë të martuara dhe kam vetëm një vëlla i cili e ka vetëm një vajzë që as nuk është e martuar e as nuk punon, është studente në vitin e tretë në fakultet” ka thënë mes të tjerash Hamza.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Një person me emrin Qëndrim Krasniqi, publikisht ka deklaruar se “Irfan Lipovica, i arrestuar ditën e sotme, është dhëndër i Bedri Hamzës dhe se i njëjti është martuar me vajzën e vëllaut tim”. Kjo është një e pavërtetë e madhe dhe një shpifje shumë e ulët.
Prandaj, nëse ky person nuk e tërheq deklaratën e pavërtetë të tij dhe për të njëjtën nuk kërkon falje në mënyrën e njëjtë siç ka shpifur, do ta padis, njejtë siç kam bërë edhe në raste të tjera ndaj personave të tillë.
Për sqarim për opinionin, unë i kam dy vajza dhe nuk janë të martuara dhe kam vetëm një vëlla i cili e ka vetëm një vajzë që as nuk është e martuar e as nuk punon, është studente në vitin e tretë në fakultet.
Gjuhës së tillë shpifëse, fyese, mashtruese e propoganduese duhet t’i vije fundi.
Qëndrim, shihemi në gjykatë!