4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Armend Muja thotë se s’kanë asnjë informacion për draftin e Asociacionit që propozoi Edi Rama

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka konfirmuar se nuk kanë informacion lidhur me draftin e Asociacionit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua ka përcjellë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Muja, para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës ka thënë se linjat e komunikimit janë të shkurtra andaj sipas tij do të duhej të njoftoheshin paraprakisht.

Kryeministri Rama, ka bërë të ditur në një konferencë për media se dje ua ka përcjellë një draft për Anotacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit Macron, dhe kancelarit Scholz.

“Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane”, tha Rama gjatë konferencës.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionin dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë, Kosova vazhdimisht ka refuzuar me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Rama tha se nuk është konsultuar për këtë draft me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai tha se drafti është hartuar nga ekspertë të pavarur, ndërsa shtoi se edhe ai vetë ka dhënë kontribut.

“Albin Kurtin po e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar, as sulmuar Albin Kurtin. Po përpiqem të kontribuoj, pasi njëri [Kurti] çon policinë në godina bosh, tjetri [Vuçiq] con ushtrinë në kufi”, tha Rama.

Ai tha se Kurtin e ka mbështetur në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të vazhdojë ta mbështesë në “rrugën e njohjes së ndërsjellë”.

“Ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, nëse ata i kthejnë shpinën, mos ndodhtë kurrë, por ajo shtëpi [Kosova] hyn në ditët e saj më të errëta”, shtoi ai, duke bërë thirrje që Policia e Kosovës të tërhiqet.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje drejt normalizimit të raporteve më 27 shkurt në Bruksel, si dhe u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj në Ohër më 18 mars.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img