Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, përmes një postimi në Twitter i është kundërpërgjigjur shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për deklaratën e djeshme që tha se Kosova po bën “arrestime jashtëgjyqësore”.
Ajo përdori rastin e fundit të konfiskimit të armatimit të rëndë nga policia të një veture me targa të Beogradit që u fut nga Serbia në Kosovë.
“A është ky një konfiskim jashtëgjyqësor i municioneve për veprimtari terroriste në Kosovë?”, ka shkruar ajo.
Kusari-Lila tha se presioni ndaj Kosovës është bërë “sport i lehtë”, por thotë se është mirë që gjërat të thuhen ashtu si janë.
“Është bërë një “sport” i lehtë për t’i përdredhur* krahët Kosovës sa herë që ndjen një hap tjetër më afër përshkallëzimit Kosovë-Serbi. Por nuk dhemb t’i quash gjërat me emrat e tyre”.
“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, kishte shkruar ai.
Përdredhje krahësh në politikë përdoret si term për përdorimin e presionit personal ose politik në përpjekje për të bindur ose për të fituar mbështetje.