Site icon PrishtinaPress

Arifi akuzon Kurtin se po i përçan shqiptarët e Luginës së Preshevës, i quan servilë Sinanin e Kamberin

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi akuzon kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin për përçarje të spektrit politik në Luginën e Preshevës.

Ai i quan servilë të shefit të ekzekutivit, Ardita Sinanin e Shaip Kamberin, teksa shton se i njëjti po tenton të sundojë në këto komuna.

Madje, Arifi thotë janë tradhtuar në dialog, meqë marrëveshja e Ohrit nuk parasheh reciprocitetin me Serbinë.

Në intervistën për KosovaPress flet edhe për tre milionët e ndarë nga qeveria, agresionin në Banjskë të Zveçanit e qasjen e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se në asnjë nga takimet që kryeministri Albin Kurti ka mbajtur me përfaqësuesit e luginës, ai nuk ka qenë i ftuar.

“Në takimet të cilat i bën (Albin Kurti) në Prishtinë, mua si kryetar i partisë më të madhe, si kryetar i Preshevës, kurrë nuk më fton. E dëgjova një deklaratë një ditë që është thënë publikisht që unë kam qenë i ftuar. Nuk kam qenë i ftuar. Jo vetëm në këtë proces të zgjedhjeve parlamentare, por edhe dy vitet e fundit nuk kam qenë i ftuar. Përkundrazi, unë kam bërë kërkesë për takime të cilat janë injoruar nga Kurti”, shprehet ai.

Për më tepër, Arifi akuzon kryeministrin për përçarje të spektrit politik në Luginë të Preshevës.

“Për të zhvendosur fuqinë e tij politike në Luginë të Preshevës dhe për t’iu hakmarrë Edi Ramës, sepse ajo çfarë na ka unifikuar është marrëveshja e Tiranës, ka ndërhyrë me servilët e tij- me Sinanin dhe Kamberin duke e bërë një herë këshilltare Sinanin dhe pastaj duke e ulur edhe Kamberin për t’u sinkronizuar për zgjedhje parlamentare 2022.

E pastaj e ka bërë edhe në Bujanoc ish-kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, këshilltar të Besnik Bislimit. E ka lidh një parti për Vetëvendosjen në kryeministri. Dhe pse e ka bërë këtë? Për të trumbetuar, për ta prishur atë që e kemi arritur në vitin 2020. Ne kemi pasur unifikim, ne nuk jemi të përçarë në Luginë të Preshevës, neve po na përçan dikush në Luginë të Preshevës, me emër Kurti”, deklaron ai.

Kritik shprehet edhe për shumën prej tre milionë eurove, të cilat janë paraparë për Luginën e Preshevës. Madje, thotë se edhe në buxhetin e vitit të kaluar ka ndodhur skandal korruptiv.

“Ne e kemi faktuar, ka dëshmi, ka dokumente, ka rrjedhje të parave, ka përfitues ekskluzivë, nuk kanë përfituar qytetarët e Luginës së Preshevës, ka përfitues ekskluzivë, të cilët janë të Kamberit dhe të Sinanit, pra të Kurtit. Ka një lëndë e cila është në Prokurorinë Speciale, të cilën janë nën hetime, kanë ftuar pjesëmarrës në krejt këtë skandal korruptiv lokal këtu tek ne. Ne kemi fakte që janë keqpërdorur”, thekson Arifi.

Arifi thotë se qeverisja e Ardita Sinanit u ka trashëguar disa problematika, të cilat kanë qenë edhe ligjore e më pas janë ballafaquar edhe në gjykata.

Ai thotë se situata e tensionuar në veri të Kosovës ka ndikuar edhe në Luginë, ku asnjë projekt nuk është financuar nga Serbia.

“Serbia ka vazhduar diskriminim të cilën e njohim që 30 vjet, nuk është diçka që nuk e njohim dhe është diçka e prekshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ne jemi qytetarë të klasës së dytë në Serbi, nuk jemi qytetarë të klasës së njëjtë.

Përdoren ende fjalë fyese ndaj neve në nivel edhe parlamentar, na njohin si komunitet, i cili këtu me ne ka pasur luftë dhe tash mundohen pa ndërprerë të hakmerren. Kemi pasur edhe nga Serbia më së paku investime në këtë vit 2023, sepse nuk kanë financuar me projekte”, deklaron ai.

Kreu i Preshevës shprehet se pasivizimi i adresave ka vazhduar edhe gjatë vitit 2023, ku shqiptarët janë të privuar nga prona dhe të drejtat civile të tyre. Adresimi i këtyre diskriminimeve, sipas tij, po mungon nga Prishtina e Tirana zyrtare.

“Ne e shohim te Vetëvendosja një qasje e cila është më brutale, radikale, e cila është më përçarëse dhe i përshtatet politikave të saj, të cilat i përdor edhe te Maqedonia e Veriut dhe që ka tentuar t’i përdorë edhe në Shqipëri për zgjedhje dhe vazhdon t’i përdorë edhe në Mal të Zi. Ju do ta shihni edhe vitin e ardhshëm. Në Maqedoninë e Veriut ka zgjedhje parlamentare. Ju do ta shihni një aktivizëm të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit e të tjerëve në përkrahje të njërës pjesë të spektrit politik dhe injorimit të pjesës tjetër të spektrit politik në Maqedoni të Veriut. Këtë e ka bërë te ne, e ka pasur si eksperiment, sepse është e interesuar jo të ndihmojë shqiptarët në Luginë të Preshevës, por është interesuar të transportojë apo të ekspandojë ideologjinë e saj në këtë vend dhe të ketë ndikim. Si e bën këtë? Përçaj dhe sundo”, thekson Arifi.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi kërkon reciprocitet në marrëveshjen me Serbinë, për çka konsideron se me marrëveshjen e Ohrit është shkelur një gjë e tillë.

“Kemi kaluar nga asociacioni në drejtim të vet-menaxhimit. Në njëfarë forme, e cila mund të interpretohet si autonomi. Ne jemi larg prej asaj, me reciprocitet na ka tradhtuar me këtë fjalë. Me pranimin e Ohrit na ka tradhtuar neve shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilën e ka premtuar me vjet reciprocitetin. Ne nuk kemi më fare çfarë të presim, nëse është pranuar nga Kurti marrëveshja e Ohrit. Prandaj nuk presim nga dialogu asgjë më”, përfundon Arifi.

Ai flet edhe për ikjet e të rinjve të Luginës, teksa krenohet se 400 deri në 500 të rinj kanë arritur t’i punësojnë brenda vitit.

Exit mobile version