Rinia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konventën e 7-të zgjedhore, ku me shumicë votash kryetare është zgjedhur Arbnora Salihu.
Arbnora, 24 vjeç, ka diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa vijon studimet Master në drejtimin “Politika Publike dhe Menaxhimi”. Në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2021, ka fituar një vend në Kuvendin Komunal pa kuotë gjinore si asamblistja e re më e votuar.
Kryetarja e sapozgjedhur e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu duke falënderuar delegatët për besimin, tha se do të punojnë së bashku për një të ardhme edhe më të ndritur.
“Sot më shumë se kurrë motivi im për punë është shtuar. Duke falënderuar secilin për besimin që treguat ndaj meje, ju premtoj që këtu do të keni gjithmonë Arbnorën, zërin tuaj të fuqishëm në angazhimet politike që na presin. I kemi borxh shtetit e kombit që krejt angazhimi ynë të jetë për një të ardhme edhe më të ndritur. Me RDK-në për PDK-në”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i deritashëm i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi ka falënderuar bashkaktivistët me të cilët kanë rrugëtuar, të cilët i ka quajtur katalizatorë të sukseseve.
“Ju guxoni me folë sepse ju keni za. Ju guxoni me vepru sepse motivi vlon në ju, dhe shpërthimi i potencialit tuaj ndodh vetëm përmes Partisë Demokratike të Kosovës. Ju do të jeni bashkë, ashtu siç ishim edhe ne, në çdo lagje dhe fshat të çdo qyteti, për aktivitete dhe punë të përbashkët në të mirë të gjeneratës dhe gjeneratave që vijnë. Ju jeni dhe do të mbeteni ambasadorët më të mirë të partisë, ju do të jeni adresa e rinisë dhe studentëve, të rejave dhe të rinjve të Kosovës. Ju nuk do të jeni vetëm e ardhmja, ju jeni e tashmja e padiskutueshme e vendit tonë”, tha Bislimi.
Rinia Demokratike Kosovës ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues i cili përbëhet nga 38 vajza e 38 djem që shënon edhe përmbushjen e vizionit të ri të kryetarit Memli Krasniqi për barazi të plotë gjinore 50/50.