Site icon PrishtinaPress

Arbër Sejdiu rrëfen në gjykatë versionin e tij se si e dërguan në spital Marigona Osmanin

I akuzuari Arbër Sejdiu ka dhënë mbrojtjen e tij në gjykatë të enjten, kundrejt akuzave për vrasjen e Marigona Osmanit.

Ai ka rrëfyer pikëpamjen e tij rreth ditës kritike ku i njëjti bashkë me të akuzuarin tjetër, Dardan Krivaçën dyshohen se kanë privuar nga jeta në mënyrë mizore viktimën 18-vjeçare.

Sipas Sejdiut, në ditën kritike ai ndërkohë që ishte në banesën e Krivaçës kishte parë të njëjtin duke i dhënë ndihmën e parë Marigona Osmanit, por që e njëjta sipas tij, ka qenë në gjendje të rëndë.

“I jepte frymë prej gojës, më duket ndihmën e parë, ajo qitke gjak, zi ka qitë, dhe i kam thënë (Dardanit) veshe e ço në spital” – tha Sejdiu.

Në pyetjen e mbrojtëses së tij, avokates Arbnora Shefkiu, se a ka ndërmarrë ndonjë veprim për të goditur Osmanin me shkop, i njëjti u përgjigj se “absolutisht jo!” Lidhur me atë ngjarje ai pretendon se qëllimi i vetëm i tij ka qenë që të shpëtojë Marigonën.

“Unë në atë moment kom mendu veç qysh me çu çikën në spital e me pshtu…nuk e di a ka qenë gjallë apo e vdekur, por dëshira ime ka qenë me pshtu atë çikë, sytë i ka pas qelë” – shtoi ai.

Sipas tij, ngjarja nga banesa e deri në spital ku të ndjerën e kishin braktisur, ka rrjedhë në vijim.

“Kam dalë e kam thirr liftin, e kom pytë Dardanin a don me t’ndihmu me e mbajt Marigonën, ka thënë se e mban vet….kemi shku tek spitali, unë kom vrapu drejt spitalit në shpejtësi të madhe, kam hy në spital dhe i kam thënë një motre se është një vajzë në gjendje të shumë të keqe… kur kam dalë e kom pa Dardanin e rrëzuar dhe të ndjerën e ka pasur përmbi, i kish hupë forca me e çu Marigonën nalt… i kam largu njerëzit e tjerë, e kam kap Marigonën nga këmbët kurse ai prej durave dhe e kena çu në spital”.

Sipas tij, në ditën kur ka ndodhur ngjarja ata e kishin dërguar në spital tani më të ndjerën, kurse për vdekjen e saj kishin marrë vesh në lajme.“Unë kom mendu që shpëton, tani në lajme e kena pa që ka ndërru jetë” u shpreh ai. Gjatë dhënies së mbrojtës së tij, Arbër Sejdiu deklaroi se ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike dhe atë të kokainës.

“Unë n’kokainë jam shumë në paranojë, lëvizi pa kontroll dhe lëvizi tepër shumë, kom pi mbidoze të kokainës” – u përgjigj ai në pyetjen e avokates së tij.Lidhur me deklaratën që ai e kishte dhënë në polici, i njëjti deklaroi se nuk i qëndron prapa kësaj deklarate.Arsyeja sipas tij, është se edhe aty kishte qenë nën ndikimin e narkotikëve.

Sipas tij, disa ditë para ngjarjes ka qenë me Krivaçën si dhe një djalë tjetër dhe kanë konsumuar substanca narkotike, kryesisht të llojit marihuanë. “Kom shku 3-4 ditë pa ndodhur rasti, i kom dërgu rrobat me i la, kena pi edhe drogë aty” … “jena kon tre vetë, kena pi drogë, kena pi bari shumë”.Përkundër Sejdiut, i bashkakuzuari Krivaça deklaroi se do të shfrytëzoj të drejtën të mbrohet në heshtje. Ai tha se do të mbrohet në heshtje.

“Nuk jam në gjendje me i spjegu, nuk jam në gjendje me u deklaru për çështjet që kanë ndodhur andaj edhe do të mbrohem në heshtje” –  u shpreh ai para trupit gjykues.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu kanë dalë sot sërish para Gjykatës së Ferizajt për tu përballur me akuzat për vrasjen e dhunimin e Marigona Osmanit.

Gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e 18-vjeçares që tronditi vendin në 22 gusht të vitit 2021, akoma nuk ka arritur një verdikt final nga organet e drejtësisë.

Në seancën e fundit të 1 qershorit është bërë administrimi i provave materiale, ndër të cilat ishin video-incizimet e banesës së të akuzuarit Krivaça.

Me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarve si dhe palës së dëmtuar, gjykata këtë seancë e kishte mbyllur për publikun.

Shkak i kësaj ishte përmbajtja e ndjeshme të incizimeve në fjalë.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, video-regjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.”

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit. /kallxo.com

Exit mobile version