Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar sot deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, nga i cili ka kërkuar ndihmë për sigurimin e vaksinave.
Lajmin e ka bërë të ditur Haxhiu përmes një postimi në Facebook.
Postimi i Haxhiut:
Me ftesë të ministrit, Arben Vitia, sot zhvilluam së bashku një takim, në zyrët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Takimi kishte për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të na ndihmojnë në sigurimin e vaksinës Pfizer, të cilat kontakte ia kam dërguar ministrit me email para dy ditësh.
Ministrit Vitia, sekretarit Bardiqi dhe ekipit të MSH zyrtarisht ua ofrova komunikimin dhe kontaktet që i kam patur me Kompaninë e cila po na e ofron mundësinë e sigurimit të 500 mijë deri në 3 milionë vaksina Pfizer.
Ministri Arben Vitia më falenderoi për gadishërinë time që t’i ndihmoj në këtë proces, sepse sigurimi sa me i shpejtë i vaksinave është shpëtim jete.
Ministri Vitia dhe sekretari Bardiqi u zotuan se Komiteti i MSH për sigurim të vaksinave, do të kontaktojë Kompaninë e cila mund të na i sigurojë një numër të jashtëzakonshëm të dozave me vaksinën Pfizer.
Tani i takon Ministrisë së Shëndetësi që të punojë me seriozitet, përgjegjësi dhe përkushtim në procedurat e mëtutjeshme për sigurim të vaksinave anti COVID-19.
Pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë në këtë situatë të gjithë së bashku duhet të punojmë për të mirën e shëndetit të qytetarëve. Virusi po vret çdo ditë qytetarët e Kosovës pa dallim partie politike dhe partitë pa dallime politike duhet të punojnë për të mposhtur pandeminë.
Sigurisht se përgjegjësinë kryesore e ka subjekti politik që është në Qeveri.
Për më shumë se një vit pandemi të gjithë kemi humbur njerëz të dashur si pasojë e virusit COVID-19, prandaj vaksina është shpëtim jete!