Synimin e Arabisë Saudite për të investuar 600 miliardë dollarë në SHBA në 4 vitet e ardhshme, e bëri të ditur Princi Mohammed bin Salman në një bisedë telefonike që pati me presidentin amerikan, Donald Trump.
Të hënën në mbrëmje, Trump u pyet nëse Arabia Saudite do të ishte sërish destinacioni i parë që ai viziton jashtë vendit, siç bëri në vitin 2017, dhe ai u përgjigj: “Unë e bëra herën e kaluar dhe ata ranë dakord të blinin mallra të vendit tonë në vlerë 450 miliardë dollarë. Nëse Arabia Saudite dëshiron të blejë edhe 450 ose 500 miliardë dollarë, do të rrisim shumën për shkak të inflacionit, mendoj se do ta bëj përsëri.”
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Arabisë Saudite, “princi i kurorës ripohoi synimin e mbretërisë për të zgjeruar investimet dhe tregtinë me SHBA-në gjatë katër viteve të ardhshme në 600 miliardë dollarë, dhe ndoshta edhe më gjerë“.
Kujtohet se deri në vitin 2017, tradicionalisht udhëtimi i parë i presidentëve amerikanë ishte në Britaninë e Madhe, traditë që Trump e përmbysi.