Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Bordit Drejtues, duke shtyrë kështu ekzekutimin e Vendimit të Inspektoratit të Punës për rastin e Basri Sejdiut.
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ka pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Aktvendimin A.nr.1690/2020, përmes së cilit është njoftuar se është aprovuar kërkesa e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të Inspektoratit të Punës, me nr. 7389 të datës 05.10.2020, për kthim në punë të ish-drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Basri Sejdiu, deri në vendimin definitiv gjyqësor, sipas padisë së bërë nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së.
“Bordi Drejtues i SHSKUK, edhe njëherë shprehë bindjen se Vendimi për shkarkim të ish-drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, është i drejtë dhe i bazuar”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Ndryshe, pas shkarkimit të Basri Sejdiut, Inspektorati i Punës e ka vlerësuar si të padrejtë shkarkimin e Sejdiut nga pozita e drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.