Vettingu është proces që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe, në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve përkatëse.
Në Komisionin Parlamentar për Arsim, Apostolova ka theksuar rëndësinë që reforma të nisë në këtë fushë, ndonëse e vështirë, por e domosdoshme.
“Reforma në arsim nuk është vetëm detyrim, çdo ditë që vonohet është krim për popullatën e re të Kosovës. BE ka ndarë fonde për arsimin, synojnë të rrisim këtë fond në 12 dhe 15 milionë me fondet IPA. Kjo fushë është me prioritet për ne. Arsimi është kyç për MSA dhe agjendën evropiane. Duam të shohim tani një procedurë e vetingut të qëndrueshme, që nënkupton se menaxhmenti i lartë të jetë në nivel të ekspertizës”, ka thënë
Ajo ka kritikuar nivelin e mirësjelljes morale të disa zyrtarëve të MASHT’it, pa përmendur emra. Apostolova, më tutje, ka sqaruar se nuk flitet për spastrim politik, por për përgjegjësi të njerëzve në pozita të larta.
“Ne nuk jemi duke folur për spastrim politik, por për përgjegjësi të njerëzve në pozita të larta. Këta njerëz duhet të tregojnë nivel të lartë përgjegjësie dhe mirësjellje morale. Duam që të sigurohet transparencë në rekrutim, agjencinë e akreditimit, rritje të autonomisë të arsimit të lartë, ka thënë Apostolova.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, njoftoi Apostolovan për punët që ka kryer komisioni dhe objektivat që ka për t’i realizuar në vazhdim.
“Njëra nga ligjet që veçoj është ai për inspektoratin e arsimit, pas miratimit të cilit, besoj që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim. Kemi filluar punën ne ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90’ta. Komisioni po bën aq sa ka kapacitete që te ndihmojë që arsimi të ecë përpara. Komisioni i ka propozuar kuvendit rezolutë që arsimin ta nxjerrë si prioritet kombëtar, por ajo ka mbetur vetëm dokument në sirtarë dhe nuk është respektuar”.
Teuta Haxhiu nga AAK, ndërkaq ka thënë se pa depolitizimin e arsimin, nuk mund të ketë rezultate në ngritje të cilësisë. Ajo ka përkrahur insistimin e Apostolovas që të bëhet organogrami ri në MAShT dhe ai të miratohet nga Qeveria.
“Pa e depoliuzuar arsimin problem që mund të kemi rezultate. E përkrahin fuqishëm insistimin tuaj që një organogram i ri të ndodhë në MAShT. Dëshira imë është që MAShT-in të mos e udhëheq dikush nga politika. Çdo vit kemi regres në arsim. Kur te diskutohet buxheti duhet te insistojmë që buxheti të jetë i dedikuar në këtë fushë”.
Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ndërkohë, ka kërkuar më shumë investime në arsimin parashkollor dhe për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Sa më shumë qe investohet në investimin parashkollor, cilësia në arsim do të jetë më e madhe. Duhet të ndihmojmë kategorinë e fëmijëve me nevoja të veçanta. Duhet të kemi parasysh që edhe në IPA fonde fëmijët me nevoja të veçanta të përfshihen në fonde”, ka thënë Çoçaj, raporton Ekonomia Online.