4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Apeli vërteton aktgjykimin, me të cilin zyrtari policor është liruar nga akuza për korrupsion

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin zyrtari policor Nebi Sheqiri, është liruar nga akuzat lidhur me veprat penale të “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova”.

Në rigjykim, Themelorja më 7 prill 2023 përmes aktgjykimit, Sheqirin e kishte liruar nga akuzat e lartpërmendura, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj këtij aktgjykimi, ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë me propozimin që çështja të kthehet në rigjykim, me arsyetimin se Themelorja edhe pas kthimit të çështjes në rigjykim, ka bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike.

Gjithashtu, ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i Sheqirit, avokati Fehmi Shala, me pretendimin se edhe pse klienti i tij është liruar, sipas mbrojtjes, është dashur të lirohet në bazë të nenit 363, me arsyetimin se veprimet e tij nuk përbëjnë vepër penale.

Neni 363 i Kodit të Procedurës Penale, përcakton që: “1. Gjykata merr aktgjykim me të cilin i akuzuari lirohet nga akuza nëse: 1.1. vepra me të cilën i akuzuari akuzohet nuk përbën vepër penale; 1.2. ka rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale; ose 1.3. nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”.

Mirëpo, Apeli ka nxjerrë aktgjykim përmes të cilit i ka refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë si edhe ankesën e avokatit Shala.

“…ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.88/2022 i datës 28.04.2023, VËRTETOHET.”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në vendimin e Apelit, thuhet se aktgjykimi i Themelores përmban arsye korrekte dhe të qëndrueshme, të cilat rezultojnë pas analizimit të secilës provë veç e veç.

Shkalla e dytë e ka konsideruar si të pabazuar edhe pretendimin e Prokurorisë se shkalla e parë nuk ka vlerësuar deklaratën e të pandehurit të dhënë në Inspektoratin Policor. Kjo pasi, sipas Apelit një pretendimi i tillë nuk është i mbështetur në ndonjë provë konkrete që do duhej të anulohej aktgjykimi i Themelores.

Kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka vërejtur se asnjë nga deklaratat e dëshmitarëve pa përjashtim, nuk e kanë pohuar se Sheqiri kishte pranuar raportin e AKF-së, ku ishte konstatuar se gjurma e marrë në vendimin e ngjarjes nuk ishte e personit që ishte deponuar kallëzimi penal, por të dikujt tjetër.

Apeli ka sqaruar se Sheqiri nuk mund të inkriminohet në kryerje të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare” dhe “Manipulimit me prova”, vetëm përse në dollapin tij ishte gjetur raporti i AKF-së (raport ku ishte konstatuar se gjurmët i përkisnin një personi tjetër për vjedhje dhe jo atij që i ishte ngritur kallëzimi penal nga Sheqiri).

Andaj, sipas Apelit duke qenë se me asnjë nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat materiale nuk është vërtetuar se Sheqiri ka pranuar raportin e AKF-së, nuk mund të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohej.

Apeli po ashtu ka sqaruar se edhe pretendimet e avokatit Shala janë të pabazuara, për faktin se vendimi në fund ka rezultuar si lirues ndaj Sheqirit dhe se nuk është rrëzuar prezumimi i pafajësisë, andaj mbi këto arsye kjo gjykatë konsideron se nuk ka nevojë të ndryshohet aktgjykimi i Themelores.

Ndryshe, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 nëntor 2021, Nebi Sheqirin e kishte liruar nga akuza, me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat ishte akuzuar.

Por, Gjykata e Apelit më 28 shkurt 2022, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe vendosje. E që edhe në gjykimin e dytë, Themelorja më 7 prill 2023 shpalli aktgjykim lirues.

Aktakuza ndaj Nebi Sheqirit ishte ngritur më 28 prill 2017, përmes të cilës ngarkohej se në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor- Veriu në Prishtinë, derisa e kishte hetuar një rast të vjedhjes së rëndë, kishte dorëzuar kallëzim penal kundër personave NN, në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, më 13 nëntor 2009, ku kryerësi nuk dihej. Por që pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, thuhet se e ka fshehur atë, duke e lënë në zyrën e tij, në dollapin e tij dhe nuk e ka dorëzuar në Prokurori me kallëzim penal shtesë.

Për këtë, ngarkohej për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova”./BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img