Site icon PrishtinaPress

Apeli vërteton aktgjykimin e shkalles së parë, liron nga akuza Adem Grabovcin për rastin “Pronto”

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka vendosur që të aprovojë pjesërisht ankesën e PSRK-së në rastin e njohur si “Pronto”, ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, si dhe Ilhami Gashit e Sadat Gashit.

Kjo gjykatë, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket të akuzuarit Ilhami Gashi, ndërsa, sa i përket të akuzuarve Grabovci dhe Sadat Gashi, kjo gjykatë ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së.

Kjo gjykatë të akuzuarin Ilhami Gashi për dy pika të aktakuzës për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të Shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, i ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 1 viti e katër muaj.

Për veprën penale si në pikën 1 të aktakuzës atij i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 10 muaj, ndërsa për pikën 2 dënim në kohëzgjatje prej 8 muaj, por gjykata ndaj tij ka shqiptuar dënim unik prej 1 viti e katër muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuar nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Po ashtu të njëjtit, sipas aktgjykimit të gjykatës se Apelit, i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy viteve.

Ndërsa për të akuzuarit Grabovci dhe Sadat Gashi, kjo gjykatë ka refuzuar ankesën e PSRK-së, duke e vërtetuar aktgjykimin e shkalles së parë, e cila me 2 mars 2020, i kishte liruar nga akuza.

Tre të akuzuarit me 9 shtator 2021, kishin kërkuar nga Apeli që të refuzohet ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe të njëjtit të lirohen nga akuza.

Ndryshe, në prill të këtij viti Gjykata Supreme e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç’rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky vendim i Supremes kishte ardhur pasi mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar kësaj gjykate me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

Ndryshe, ky rast kishte shkuar në Gjykatë Supreme edhe me ankesë të Prokurorisë Speciale dhe të mbrojtësve së të akuzuarve.

Por, në nëntor të vitit 2020, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një komunikate për media, kishte bërë të ditur se kishte refuzuar ankesat e prokurorisë speciale dhe ato të mbrojtësve dhe kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit, ndaj tre të akuzuarve në rastin e njohur si “Pronto”, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi.

Ata akuzoheshin për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Gjykata e Apelit, me 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtor Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Adem Grabovcit, i cili ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Kurse për të akuzuarit tjerë në këtë rast, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit kishin parashtruar mbrojtësi i Grabovcit, avokati Florent Latifaj, mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollqaku, si dhe mbrojtësi i Sadat Gashti, avokati Mahmut Halimi, të cilat janë paraqitur edhe në seancën e mbajtur në Gjykatën Supreme, më 29 shtator të këtij viti.

Pas seancës, Supremja kishte vendosur të aprovoj vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të akuzuarve A.G., I.G. dhe S.G., për shkak të veprave penale shkelja e statusit të barabartë të shtetaseve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, duke vendosur lidhur me ankesën Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të dënuarve, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës publike, më 29 shtator 2020, me aktgjykimin PA.II.nr.3/2020, refuzoi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, A.G., I.G. dhe S.G., ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.”, thuhej në komunikatën e Supremes.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 3 janar të këtij viti kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur “Pronto”.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.

Ndryshe, gjykimi për këtë rast ka nisur më 15 nëntor 2018, ku në seancën fillestare të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Tutje, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzoheshin këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Exit mobile version