Site icon PrishtinaPress

Apeli vendos për herë të dytë: Shaban Gogaj dënohet me 6 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Shaban Gogaj, ashtu që ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë lidhur me veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, përkitazi me vendimin për dënimin me burgim, duke i shqiptuar të njëjtit dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë 6 vite e 6 muaj.

Ndërsa, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të përfaqësuesve të autorizuar të palëve të dëmtuara, si dhe mbrojtësit së të akuzuarit Shaban Gogaj, për pikën I të dispozitivit të aktgjykimit.

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PKR.nr.50/2023, të dt.16.05.2024, ka shpallur fajtor të akuzuarit, Sh.G., për veprat penale, vrasje nga pakujdesia nga neni 181 të KPK dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPK, dhe I.C., për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPK, duke i shqiptuar të akuzuarit Sh.G., dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej shtatë (7) vite e gjashtë (6) muaj, ndërsa të akuzuarit I.C., dënim me gjobë në shumën prej dymijë euro (2.000€).

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk përshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që gjykata e shkallës së parë në mënyrë të qartë dhe të plotë ka vlerësuar saktësinë e të gjitha provave nga shkresat e lëndës.

Gjithashtu, kjo gjykatë, sipas ankesës së ushtruar nga ana e prokurorisë, përfaqësuesit të autorizuar të palëve të dëmtuara, mbrojtësit së të akuzuarit Sh.G., lidhur me vendimin për sanksionin penal të shqiptuar, ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat e parapara në dispozitën ligjore nga neni 73 lidhur me nenin 74 të KPK, duke vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit Sh.G., qëndrojnë elementet e veprës penale të vrasjes nga pakujdesia dhe elementet e veprës penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, të KPK, si dhe veprën penale e cila i vihet në barrë edhe të akuzuarit I.C.

Kolegji gjykues ka vlerësuar të gjitha ankesat e ushtruara, ashtu që ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sa i përket vendimit për dënimin, duke i shqiptuar të akuzuarit Sh.G., dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite e gjashtë (6) muaj, e sidomos duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese, ka aplikuar institutin e zbutjes së dënimit dhe të akuzuarit i ka shqiptuar dënimin sikurse në dispozitiv të aktgjykimit, duke qenë i bindur se me dënimin e shqiptuar, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, e po ashtu, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 41 të KPK.

Exit mobile version